Kukësi po përgatitet për fazën përgatitore, por më parë pritet që drejtuesit të mbyllin merkaton në mënyrë që trajneri Armando Cungu të ketë në dispozicion një ekip sa më të plotë në Turqi. Momentalisht është blerë nga Luftëtari mesfushorit Eduart Rroca.
Objektivi kryesor për sulmin është Vasil Shkurtaj, ndërkohë që po tentohet të afrohet edhe një mbrojtës i djathtë dhe një mesfushor qendre. Të larguar zyrtarisht janë Vangjel Zguro dhe Dino Shpehar, ndërkohë që mbetet të bëhet njoftimi edhe për mesfushorin Oliver Ture të marrë në huazim nga Juventusi.
MIQËSORET – Gjatë qëndrimit në Turqi Kukësi do të ketë mundësinë të zhvillojë edhe disa ndeshje miqësore. Sikurse raportohet nga mediat ruse, një nga takimet e verilindorëve do të luhet kundër Rostov.
Ndeshja do të luhet në Belek më datë 11 janar. Kundërshtari i Kukësit garon në elitën e futbollit rus dhe renditet në vendin e shtatë në klasifikim pas gjysmës së parë të kampionat. Trajneri Cungu do të ketë edhe miqësore të tjera në dispozicion dhe ato do të shërbejnë për harmonizimin e lojës në grup te Kukësi, klub që synon fitimin e titullit kampion në fund të sezonit.