Jonghong Li dhe krahu i tij i djathtë, Han Li, do të jenë në stadium për sfidën e 18 korrikut, atëherë kur mund t’i bëjnë ofertën zyrtare drejtuesve gjermanë: 70 milionë euro mjaftojnë. Prapaskenat
Brenda pak ditësh Milani ka zyrtarizuar 7 lojtarë të rinj, të gjithë shumë premtues, por asnjeri prej tyre i klasit botëror, nga ata që fitojnë ndeshjet të vetëm, si thuhet në të tilla raste.
Në pranverë ëndërroheshin emra të mëdhenj, sidomos në sulm, por deri tani ka ardhur vetëm Andre Silva nga Porto, investim madhor, por që vështirë se mjafton për të mbajtur në shpatullat e tij sulmin, duke parë që do të largohen Baka, Niang e Lapadula. Për këtë arsye, pasi të shesë tre sulmuesit e mësipërm, duke shpresuar që të grumbullojë rreth 50 milionë euro, Milani do të tentojë sulmin final për një sulmues cilësor dhe emri i përzgjedhur është Pier-Emerik Obamejang.
Indicjet – Sky Sport raporton se klubi kuqezi është gati t’i japë 7-8 milionë euro në vit sulmuesit gabonez, i cili në Dortmund ka pasur një mesatare impresionuese golash.
Avantazhi i Milanit është se Obamejang në këtë moment nuk ka asnjë ofertë serioze nga klube të mëdhenj, ndërsa milionat nga Kina nuk e joshin, pasi nuk është gati të largohet nga Europa dhe futbolli i rëndësishëm. Nëse Obamejang pranon ofertën financiare, Milani do të nisë bisedimet me Dortmundin, që kërkon të paktën 70 milionë euro.
Rroga – Sakaq, lajmi tjetër pozitiv i ditës së djeshme ka ardhur nga fakti se agjenti është takuar sërish në fshehtësi me drejtuesit e Milanit, teksa thuhet se ka negociuar për rrogën. Aktualisht, Obamejang fiton 4 milionë euro te Dortmundi, por kërkesa e tij ka shkuar në 12 milionë euro, ose edhe 10 maksimumi, por është një shifër që vetëm klube si PSG, Siti, Real apo Barcelona mund të paguajnë, pa harruar këtu edhe skuadrat kineze me potencë ekonomike.
Aludimi – Por, ka edhe një tjetër aludim që lumturon tifozët e Milanit. Sipas disa zërave në mediet italiane, kuqezinjtë janë takuar në fshehtësi me futbollistin, për ta bindur që të pranojë ofertën e tyre dhe projektin ambicioz.
Kinezët – Sipas “Gazzetta dello Sport”, ndërkaq, Obamejang mund të jetë anonçimi i madh i kinezëve të Milanit. Në fakt, Mister Jonghong Li dhe Han Li pritet që të jenë në stadium për miqësoren Milan-Dortmund në turneun aziatik. Ndeshja do të zhvillohet në datën 18 korrik, teksa pritet që të ketë takim mes drejtuesve të klubeve. Kinezët e Milanit mund të vendosin një ekstra-buxhet për lojtarin, teksa nuk do të lënë pas dore edhe pistën Kaliniç. Në fakt, Karlos Baka thuajse është i ikur, ashtu sikurse dhe Lapadula e Niangu, ndaj do të krijohet një mini-buxhet që do të shërbejë për Kaliniçin, teksa gabonezi duhet të jetë “dhurata” e madhe.
Afati – Një tjetër aspekt që duhet theksuar ka të bëjë me faktin se merkato në Kinë mbyllet në datën 15 korrik dhe ndaj, nëse deri atë ditë, nuk ka akord mes Tianzhinit të Kanavaros, që thuajse ka mbyllur blerjen e Antoni Modestes së Këlnit, për një shifër të përafërt me thuajse 38 milionë euro. Kështu, duket thuajse e pamundur blerja e gabonezit.