Kristian Panuçi i shqetësuar, me kë do luajë në mbrojtje?

Shqipëria luan në shtator kundër Izraelit dhe Skocisë, konkretisht më 7 dhe 10 shtator. Trajneri Kristian Panuçi ka detyrën e vështirë të përzgjedhë lojtarët për këto dy ndeshje dhe problemi më i madh është fakti se janë disa lojtarët që janë pa ekip, ose nuk po aktivizohen.

Mërgim Mavraj për herë të fundit ka luajtur me Shqipërinë në miqësore në muajin qershor, ndërkohë që me Hamburgun vetëm stërvitje, madje këtë e bënte me ekipin e dytë. Naser Aliji po shijon pushimet që pas largimit nga Virtus Entela. Për Arlind Ajetin ka pasur shumë zhurmë, por ende nuk ka vendosur për të ardhmen.

Ofertat nuk i mungojnë në fakt. Gjithsesi Panuçit i intereson që lojtarët e tij të kenë minuta në këmbë, ose të paktën stërvitje. Një pjesë e mirë e lojtarëve të kombëtares nuk kanë as këtë. Gjimshiti disi më ndryshe dhe me shumë mundësi e ka “prenotuar” një vend titullari.

Ivan Balliu është pa ekip. Nuk do të qëndrojë te Metz në Francë dhe ka pasur zëra për një kalim në Spanjë. Hysen Memolla gjithashtu nuk po kalon një periudhë të mirë te Hajduku i Splitit. Kroatët e kanë përfshirë mbrojtësin kavajas në ekipin e dytë. Panuçit i duhet të mendohet mirë para se të bëjë listën për ndeshjet e Nations League kundër Izraelit dhe Skocisë.

Hysaj në të djathtë, Gjimishiti në qendër, si dhe Ansi Agolli në të majtë, janë ata që mund të jenë titullarë kundër Izraelit. Italianit i duhet të vendosë edhe për qendërmbrojtësin tjetër. Gjithsesi e gjitha është një hamendësim dhe duhet pritur fillimisht publikimi i listës së lojtarëve të ftuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *