Blerim Krasniqi ka vuajtur shumë nga dëmtimet te skuadra e Skënderbeut këtë sezon. Sulmuesi ishte protagonist në takimin e sotëm përballë Laçit, duke shënuar dhe duke fituar penallti. Pasi u shpall dhe njeriu i takimit, Krasniqi foli për “Supersport”, ku u shpreh:
NDESHJA – “Është e vërtetë, na mungoi fitorja. Ishte një fitore shumë e rëndësishme, por dhe goli për mua ishte shumë i rëndësishëm. Kemi pasur një situatë shumë të keqe. Gjashtë humbje rresht janë shumë dhe duhet me doemos te riktheheshim te loja jo0në. Kemi pasur dhe fatin kundër, pasi kemi pësuar gola nga gabimet tona. Tani të vazhdojmë rrugën që kemi nisur dhe të ruajmë ecurinë.
SHEHI – “Trajneri si gjithmonë kërkon më të mirën, pastaj ne duhet të punojmë dhe të japim më të mirën. Trajneri nuk kishte çfarë të thoshte, pasi ne e dinim vetë që nuk ka më kohë për gabime, por vetëm për të marrë fitoren.
KRIZA – “Të gjithë presin nga të gjithë lojtarët e Skënderbeut, pasi janë futbollistë me kualitet. Edhe nga unë kanë pritur shumë, por nuk kam qenë në formën time më të mirë fizike. Tani që jam rikthyer shpresoj të ruajmë këtë ritëm dhe të marrim maksimumin nga të gjitha ndeshjet”,- u shpreh Krasniqi.