Kërcënimet e Kukësit, e shkuara dhe çështja “Kale”

0

Kukësi ka humbur rrallë herë gjyqe dhe në klubin verilindor janë besimplotë se çdo çështje do të mbyllet në favorin e tyre. Nuk ka ndodhur gjithmonë kështu, nëse rikthehemi pas në kohë dhe kujtojmë verën e shkuar. U pretendua se me Izair Eminin ishte rinovuar kontrata, por sulmuesi pasi e dërgoi çështjen në FIFA u lejua të luante me Shkëndijën e Tetovës. Asokohe u tha se do të apelohej dhe do t’i shkohej deri në fund betejës ligjore me Eminin, por deri më tani nuk bëhet me dije të ketë pasur ndonjë zhvillim në këtë drejtim.

ALBI ALLA DHE ENEA KOLIÇI – Qendërmbrojtësi dhe portieri patën probleme gjithashtu me klubin e Kukësit. I pari nuk u prononcua në asnjë moment. Asokohe për “Sport Ekspres” menaxheri i lojtarit sqaroi gjithçka dhe bëri me dije se kontrata është e parregullt. Alla nënshkroi dhe u prezantua në Greqi, por bëri prapakthehu.

Kontratë e re me Kukësin dhe përfitime dyfish: rreth 5 mijë euro në muaj. Beteja në distancë u fitua nga mbrojtësi. Për Enea Koliçin u tha se kishte rinovuar kontratën dhe më vonë klubi hodhi fotot duke nënshkruar kontratën e re. Kishte rinovuar më parë, apo jo, ky është një mister. Pogradecari, i cili tanimë është pjesë e Flamurtarit, gjithashtu përfitoi rritje të ndjeshme page. Pse duhet të ndodhte, kur kishte rinovuar më parë?

ÇËSHTJA KALE – Braziliani pretendon se kontrata i është rinovuar pa dijeninë e tij. Pretendohet se data në kontratën e depozituar në FSHF nuk është shkruar prej vetë lojtarit. Nëse shikon me kujdes numrin tetë që shkruar në kontratë nga Kale, ka dallim me atë të shënuar te viti 2018. Gjithsesi janë specialistët që dalin në përfundime për këtë pjesë. Kjo çështje zgjidhet vetëm në gjyq, pasi nëse vërtetohen pretendimet e sulmuesit, atëherë kemi të bëjmë me një shkelje të rëndë.

Pavarësisht pretendimeve të Kale, te Kukësi shfaqen të qetë dhe mendojnë se gjithçka është e rregullt. Mbetet për t’u parë se si do të zgjidhet kjo çështje: do ketë rikthim të tij te verilindorët me rritje të ndjeshme page, apo FIFA do të vërë drejtësi. /VLADIMIR PRENGA/

 

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.