Juventusi nuk ia doli të shmangte humbjen përballë Spalit në transfertë. Maks Alegri ruajti titullarët pushim për ndeshjen e kthimit kundër Ajaksit dhe iu dha shansin disa lojtarëve të rinj për të zbritur në fushë.
Titulli është fituar, ndërsa zyrtarizimi dhe festa e madhe mund të vijë në ndeshjen e radhës kundër Fiorentinës. Bardhezinjtë e kanë mendjen te ndeshja e kthimit kundër “harkëtarve”. Synimi është kualifikimi në gjysmëfinale.
Megjithatë, zgjedhjet e trajnerit juventin kanë shkaktuar polemika në vendin fqinj. Spali përmbysi golin e Moize Ken dhe siguroi një trepikësh të artë për qëndrimin në elitë.
Sinisa Mihajloviç ishte i pari që reagoi. Trajneri i Bolonjës, por edhe Empoli, Udineze dhe Xhenoa janë ndjerë keq kur kanë parë Spalin të sigurojë një trepikësh të lehtë kundër kampionëve.
“Problemi është kur përballesh me Juven që hedh në fushë të rinjtë ose lojtarë të Serisë C, kjo nuk më duket e drejtë. Ishte diçka që nuk më pëlqeu, por e di që atyre nuk do u plasë fare. Për fat të keq, futbolli italian është i tillë“, komentoi Mihajloviç pas barazimit pa gola kundër Fiorentinës.
Në këtë çështje është përfshirë edhe Antonio Kasano. Barezi i famshëm tregohet i drejtpërdrejtë si gjithmonë. Ai ka mbetur i zhgënjyer nga zgjedhjet e Alegrit dhe e mbyll me një batutë për urrejtjen e madhe që ekziston kundër klubit torinez.
“Nuk më pëlqeu fare qëndrimi i Alegrit. Ai e mbushi ekipin me djem të rinj. Skuadrat që po garojnë për mbijetesën e kanë të vështirë ta pranojnë një situatë të tillë. Juventusi duhet të zbresë në fushë lojtarë për të fituar ndeshjen dhe jo për të zbavitur djemtë e rinj ose për të bërë shfaqje të tilla. Empoli dhe Bolonja ankohen me të drejtë. Bardhezinjtë nuk janë aq të dashur nga njerëzit, nëse e kërkojnë edhe vetë pastaj…”