Vazhdon “lufta” mes Zhoze Murinjos dhe mesfushorit Pol Pogba. Në fillim lajmet e merkatos që shihnin francezin larg “Old Trafford”, pastaj pretendimet e menaxherit të lojtarit Mino Rajola, grindjet (të konfirmuara dhe pastaj të mohuara nga palët), kritikat e francezit ndaj stilit difensiv të trajnerit portugez pas barazimit me Uolves dhe tashmë çështja e shiritit të kapitenit.
Pogba është zëvendës kapiteni i Junajtid, i cili ka qenë në tre ndeshje kapiten në mungesë të Valencias, por tashmë nuk do ta mbajë më atë post. Murinjo ka vendosur që Pogba nuk do të jetë më zëvendës kapiteni i ekipit dhe diçka të tillë e ka konfirmuar për “SkySport UK”, pas humbjes në “Carabao Cup” kundër Derbi Kauntit. Trajneri i “Djajve të Kuq” mohon të ketë bërë sherr me lojtarin e tij, ndërsa e komenton në këtë mënyrë vendimin e marrë.
“Nuk është e vërtetë që jemi grindur me Pogba. E vetmja e vërtetë është vendimi qa kam marrë, që Pogba nuk do të jetë më zëvendës kapiteni i Junajtid. Nuk ekziston asnjë problem, i njëjti person, i cili vendosi që Pol nuk do të jetë më kapiteni i ekipit, është i njëjti person, i cili e emëroi atë në këtë post. Jam menaxheri, unë mund t’i marr këto vendime, por nuk ka asnjë problem, është vetëm një vendim i marrë dhe nuk kam nevojë të jap shpjegime”, përfundon portugezi i stolit të Mançester Junajtid.