Gega largon presionin: Objektivat parësore, ju tregoj ndryshimet në derbi!

Partizani kërkon fitoren në derbi dhe trajneri Skënder Gega e thotë hapur diçka të tillë. Trajneri i të kuqve doli sot para mediave dhe foli gjerë e gjatë për takimin me Tiranën. Ai foli për shumë aspekte dhe u mundua të mos vërë në presion ekipin e tij. Për të me rëndësi është arritja e objektivave.

DERBI VENDIMTAR – “Derbi ka specifikën e vet dhe ka elementët e vet shumë pozitiv. Nëse e kalojmë me sukses, patjetër që do të jetë pozitive, sepse rrit besimin në ekip. Jemi në një moment të mirë, është vetëm fillimi dhe duhet kuptuar kjo. Nuk jemi aty ku duhet, kemi nevojë për rritje dhe besoj se do të ndodhë”.

EMOCIONET SI TRAJNER – “Janë emocione të tjera, ndoshta edhe më të mëdha. Si lojtar është ndryshe, i shkarkon emocionet, je vetë përgjegjës. Kur je trajner ke 25 lojtarë, ke stafin dhe duhet ta përgatitësh ndeshjen me detaje. Presioni është dhe emocionet sigurisht, por duke parë lojtarët në sy dhe se si punojnë, i ndajmë gjërat, të kaluarën dhe të sotmen. E presim kënaqësi”.

FORMACIONI – “Nuk ka sekrete, kam aktivizuar edhe të rinj. Është e vështirë kur sheh që ka konkurrencë, që tanimë është rritur. Kam një dilemë të vogël, deri të premten do tentoj të zgjedh grupin më të mirë”.

LOJA – “Tifozët janë lojtarët e 12-të. Ndikuan në ndeshjen me Flamurtarin, duke na mbështetur, Besoj se ia shpërblyem me lojë dhe rezultat. Do bëjmë më të mirën për të zgjidhur lojën pa emocione. Do bëjmë mirë në mbrojtje dhe në sulm”.

HEBAJ – “Rubini luajti dje 90 minuta, nuk ka shfaqur shqetësime. U munduam ta mbajmë larg dëmtimeve. Ndaj edhe nuk e grumbulluam në ndeshjen me Flamurtarin. Do jetë i gatshëm pë derbi. Do shohim”.

KTHIMI NË SHTËPI DHE PRESIONI – “Patjetër që në shtëpi ndihesh shumë mirë. Kam ardhur që 18 vjeç këtu, këtu jam rritur dhe e kam nisur karrierën. E kam pranuar pa kushte. Kam gjetur ambientin e duhur në klub, nga të gjithë. Partizani ka histori, ka fituar shumë derbi dhe kjo është një ngarkesë më tepër. Nuk janë vetëm për derbi trajnerët. Uroj të shkojnë gjërat sikur ne duam. Por në fund të fundit unë kam ardhur këtu për një mision tjetër, ta çojmë Partizanin aty ku duhet”.

GOLI NË DERBI – “Ka ndodhur në vitin 1987. Historia është histori dhe është mirë kur kthehesh mbrapsht, por kalon. Për mua janë gjëra që kanë mbaruar, sot jam 55 vjeç. Nëse fitojmë dhe paraqitemi mirë lidhet nostalgjia me të sotmen dhe besoj se bëhet edhe më e fortë”.

LOJA APO PIKËT – “Derbi duhet luajtur dhe pastaj duhet fituar. Do luajmë deri në fund, sikur duam ne, pa qenë emocionalë. Nëse kemi kualitetin e duhur dhe më të madh se Tirana, duhet ta fitojmë. Kështu që shkojmë për fitore, nuk kemi asnjë rrugë tjetër”.

RRITJA  E TIRANËS – “Nuk na tremb kjo, por na bën më të përgjegjshëm. E njohim më mirë Tiranën, i pashë kundër Skënderbeut dhe Luftëtarit. Janë një ekip i mirë, me dëshirë dhe që vrapojnë. I kemi studiuar dhe këto dy ditë do merremi me detajet. Nuk na tremb, por e respektojmë aq sa duhet. Do marrim masat e duhura në kohën e duhur”.

TRIUMFI DHE OBJEKTIVAT – “Me gjithë respektin që kam për tifozët, është një punë që bëhet sot dhe nuk i merr frytet përnjëherë. Nëse fitohet derbi do ishte shumë mirë, këtë duam. Edhe unë bëj pjesë te sportdashësit, çdo trajner do të fitojë. Unë kam eksperiencën time që ndoshta ndeshjen më të mirë e kam bërë kundër vëllait tim dhe kam dashur ta fitoj. Kështu funksionon futbolli. Objektivi është një projekt që ne duhet ta realizojmë patjetër. Duhet që çdo ndeshje të bëjmë maksimumin dhe tifozët të shohin që po bëhet një projekt afatgjatë”.

NDRYSHIMI I DERBIT – “Numri ka qenë më i madh në atë kohë. Nuk kishim drita, fishekzjarrë, ndaloheshin parullat, muzika. Nuk krahasohet, është si e bardha me të zezën. Por, emocionet kanë qenë për njerëzit, diskutohej me javë para derbit. Ishte e vetmja gjë që u jepte shpresë njerëzve në atë jetë që bëhej”.

PARTIZANI MË LART – “Nuk është diplomaci, por mundohem të jem objektiv. Nuk thuhet që në fillim se je për titull, do i shohim gjërat javë pas jave. Shpresoj që gjërat të shkojnë mirë me Tiranën. Ideja për të qenë kampion, për të qenë në vendet e para, përforcohet përmes punës dhe duke e parë ekipin çdo ditë. Sa i takon kualitetit, ne kemi grupin. Kjo më intereson, është një ekip që punon mirë, sillet mirë brenda dhe jashtë fushës. Kjo më intereson mua, pasi është baza”.

RËNDËSIA – “Historia është tjetër, dikur ishim ‘bio’, të formuar në akademi. Tani lëvizin dhe vijnë lojtarë që nuk kanë lidhje me historinë e klubit. Stërviten mirë, janë korrekt dhe nisin e njohin klubin. Duhet të jetojmë me të sotmen, të bëjmë maksimumin”.

FRIKË NGA DËSHTIMI – “Nuk kam komplekse me ‘ish’-ët, që një humbje mund ta përdorin si dështim. Unë mendoj se nuk ka dështim në futboll, ka humbje dhe duhet të ngrihesh dhe të vazhdosh rrugën. Ata kanë fituar derbe, kanë humbur ndeshje, që nuk do i analizoj. Nëse fitojmë, uroj të bashkohen me gëzimin tonë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online