Ermir Lenjani ka folur! Mbrojtësi kuqezi ka shpërthyer kundër trajnerit Kristian Panuçi, me anë të një postimi në rrjetet e tij sociale. Futbollisti i Sionit po bën një sezon shumë të mirë, por për Panuçin, nuk ka vend në kombëtare. Kjo gjë e ka acaruar jo pak Lenjanin, i cili i ka dalë haptazi kundër trajnerit italian:
“Që nga viti 2013 jam pjesë e Kombëtares shqiptare dhe ndihem krenar për këtë gjë. Sa herë jam ftuar e kam pranuar ftesën me dëshirën më të madhe, pasi çdo herë kur e kam veshur fanellën kuq e zi e kam veshur me shumë dashuri. Kam qenë gati gjithmonë, kam sakrifikuar shumë, jam gjakosur, kam qarë e kam qeshur si futbollist i Shqipërisë.
Kam pranuar edhe stolin, por jam respektuar gjithmonë. Tani në dy vitet e fundit jam duke kaluar nëpër një formë shumë të mirë, por po injorohem nga trajneri momental i Kombëtares. Nuk kam luajtur asnjë minutë në Ligën e Kombeve, por nuk kam bërë zhurmë dhe kam vazhduar të punoj edhe më fort.
Kur lëndohen 4-5 lojtarë trajnerit i bie në mend që luan dikund Ermir Lenjani dhe më dërgon ftesë. Faleminderit, por JO. Me lot në sy e them se nuk do të grumbullohem më me Kombëtaren sa të jesh ti aty. Kam kontribuar shumë dhe meritoj respekt. Dashuria ime për Shqipërinë është më e madhe se urrejtja jote për mua. Unë kam qenë, jam dhe gjithmonë do të jem djalë i Shqipërisë, ndërsa ti je vetëm kalimtar”, shkroi Lenjani.