Sherif Kallaku foli pas ndeshjes për “Supersport” në emisionin ”Gol pas Goli”, ku nuk nguroi që të kërkonte falje për shkak se ekipi nuk mori dot pikët e plota. Mesfushori veçoi se është ende herët për të përmendur fjalën titull në Durrës.
PËRBALLJA – “Këto ndeshje duhet të shihen, pasi Partizani është ekip me emër. Po ashtu edhe me Skënderbeun është motivimi më i madh. Ndjejmë keqardhje për rezultatin, pasi bëmë thirrje për tifozëve dhe dua t’u kërkoj falje personalisht për barazimin. Ishte një rezultat jo i mirë për lojën që zhvilluam dhe u kërkoj ndjesë tifozëve.”
EKIPI – “Në ndeshjen e parë humbëm 3-0, por ia falëm Partizanit, pasi bëmë shumë gabime. Ishte një grup i formuar nga fillimi dhe tani kemi krijuar bazën dhe na jep siguri, çka na ka sjellë te këto rezultate.”
TITULLI – “Të përmendësh fjalën titull është ende herët. Edhe Partizani nuk e përmend fjalën titull. Do të shihet pas këtyre dy ndeshjeve”, përfundoi mesfushori i skuadrës durrsake.”