Juventus vazhdon punën për afrimin e një mesfushori. Bardhezinjtë po mendonin për rikthimin e Pogba, por për Murinjon, ai është i pashitshëm. Merkato në ishull mbyllet ditën e nesërme dhe nuk ka kohë për të gjetur zëvendësuesin e tij.
Në pamundësi për të arritur tek francezi, Juventus po tenton sulmin për Milinkoviç-Saviç. Konkurrenca për mesfushorin serb është e madhe, sepse pas tij janë vënë klube si Mançester Junajtid, Reali i Madridit, por edhe Milani, pavarësisht mohimeve të Leonardos, kërkon shërbimet e tij. Lotito nuk lëkundet nga pretendimet e tij, por bardhezinjtë do të kërkojnë deri në fund akordin me klubin roman për të transferuar serbin në Torino.
Juventus po vështron nga Fiorentina. Kalimi i Pjacës në Firence ka përmirësuar raportet midis klubeve dhe bardhezinjve u pëlqejnë Federiko Kieza dhe Nikola Milenkoviç. Italiani luan si anësor ofensiv, ndërsa serbi si mbrojtës. Të dy lojtarët janë të rinj dhe të talentuar. Akoma nuk i kanë mbushur 21 vjeç dhe shihen si përforcime për të ardhmen e bardhezinjve.