Filip Lahm është një ndër lojtarët më të mëdhenj të futbollit gjerman në dy dekadat e fundit. Ish-kapiteni i Bajernit dhe kombëtares gjermane ka dhënë një prononcim për “La Gazzetta dello Sport”, ku flet për ish-ekipin e tij, bardhezinjtë e Juventusit dhe Kristiano Ronaldon.
“Bajern është favoriti numër një për të fituar Bundesligën, por pak suspancë do i bënte mirë kampionatit. Juventus? Taktikisht janë gjithmonë perfekt dhe bëjnë pjesë te ai grup i vogël skuadrash që mund të fitojnë Champions. Ronaldon nuk mund ta markosh dhe forca e tij është gjuajtja e fortë. Sa herë godet është pothuajse gol.”
Lahm flet dhe për Karlo Ançelotin me të cilin punoi te Bajerni. Kampioni i Botës në 2014 komenton dhe situatën e vështirë të kombëtareve gjermane dhe asaj italiane.
“Eliminimi nga Champions nuk ishte një çështje forme. Jam i lumtur që e kam pasur Ançelotin si trajner, edhe pse diçka nuk funksionoi. Sa i përket kombëtareve, ndonjëherë është e dobishme që të kalosh një periudhë krize. Italia duhet të bëjë një rinovim më të thellë krahasuar me Gjermaninë dhe mendoj që Mançini është personi i duhur për ta bërë diçka të tillë”, përfundon Filip Lahm.