Gjykata sportive ka vendosur të lër Juventusin pa mbështetjen e tifozerisë së zjarrtë të tribunës “Curva Sud” për ndeshjen e ardhshme në Torino, ku Juventusi do të presë në “Allianz Stadium” Xhenoan më datë 20 tetor.
Ky vendim u mor pas koreve raciste të përsëritura ndaj lojtarit senegalez të Napolit, Kalidu Kulibali. Përveç pezullimit të tribunës së tifozëve, Juventusit i duhet të paguajë dhe një gjobë në vlerën e 10000 eurove.
Në të shkuarën kur Juventusi është dënuar me mbyllje të pjesshme tribunash, klubi torinez ka bërë një marrëveshje me federatën italiane, ku i është lejuar të fusë në stadium fëmijë të shkollave të qytetit të Torinos dhe rrethinave.