Pol Pogba nuk po kalon një moment të mirë te Mançester Juanajtid, kjo dhe për shkak të karakterit të tij dhe marrëdhënies që ai ka me teknikun, Zhose Murinjo. Mesfushori francez është parë dhe në stol ndeshjet e fundit, teksa më parë ka qëndruar dhe në tribunë, pas një zënke me trajnerin Murinjo.
Nga kjo çështje duket se kërkon të përfitojë Juventusi. Ish-ekipi i mesfushorit francez, duket gati të për ta bërë të sajin Pogban, që në muajin janar. Sipas asaj që raporton “Tuttosport”, drejtuesit bardhezinj kanë gati 80 milionë euro. Një shifër që ndoshta nuk i kënaq pretendimet e Junajtid, të cilë shpenzuan më shumë në verën e vitit 2016.
Kujtojmë, 25-vjeçari u transferua te Junajtid për shumën e 105 milionë eurove dhe nuk ka arritur të fitojë më shumë se një Europa Ligë me “djajtë e kuq”. Gjithçka mbetet për tu parë me hapjen e merkatos, por qëndrimi i Pogba në “Old Traford” duket gjithnjë e më larg.