Vilfrid Zaha po zhvillon një sezon shumë të mirë në aspektin personal. 8 gola dhe po kaq asiste të dhuruara për sulmuesin e Kristal Palas në Premier Ligë. 26-vjeçari ndihet gati për t’u transferuar në një klub të madh.
Afrikani pëlqehet shumë nga Ole Gunar Solskjaer, trajneri i Mançester Junajtid, ekip në të cilin Zaha luajti një sezon. Në fakt vetëm 28 minuta dhe aspak më shumë. David Mojes nuk e preferonte fare atë.
Në një prononcim për “Daily Mail”, sulmuesi sulmon ashpër klubin nga Mançesteri. Ai mund të luajë në çdo ekip, por jo më për “Djajtë e Kuq”.
“Mançester Junajtid u përpoq të më shkatërronte mua dhe karrierën time. Kur u lashë jashtë listës së Champions Ligës dhe në vendin tim u thirr Adnan Januzaj, i cili nuk kishte luajtur asnjë minutë me ekipin e parë, e kuptova që bëhej fjalë për një situatë shumë më serioze seç e imagjinoja. Çdo gjë kishte shkuar përtej arsyeve sportive. Nuk flitej më për futboll ose aftësi, por çfarë mund të bëja unë i shkreti?”, komenton Vilfrid Zaha.