Kukësi nuk fiton prej 3 javësh në kampionat dhe ndaj Kamzës nuk pranohet asnjë rezultat tjetër veç fitores. Skuadra e Cungut ka synim titullin kampion, por deri më tani është shumë larg pritshmërive, pasi diferenca me Partizanin është 10 pikë.
Sytë janë nga merkato e janarit, çka është përmendur shpesh nga tekniku shkodran, i cili pret ndryshimin nga lëvizjet që do të bëhen në dritaren dimërorë të transferimeve. Ekipi ka nevojë për përforcime, të cilat duhet të jenë të kujdesshme, pasi fillimisht duhet të pasurohet mesfusha me lojtarë që posedojnë pasaportë shqiptare, ose nuk konsiderohen të huaj.
Emri i parë që mund t’u bashkohet kuksianëve është ai i Kristi Jotit, i cili nuk po kalon një moment mirë në Berat. Lojtari në fjalë është i Kukësi, por u huazua në verë te skuadra e Kategorisë së Parë. Gjërat nuk janë mirë dhe Joti mund të kthehet te Kukësi para janarit.
Një emër tjetër që lakohet në ambientin e Kukësit është ai i brazilianit Roxher, i cili ashtu si Joti kaloi te Kastrioti në formë huazimi. Roxher ka shënuar 6 gola deri më tani, duke i bindur drejtuesit verilindor që të mendojnë rikthimin e tij.