Ata që futbollin e njohin mirë, e dinin që kjo do ishte çështje kohe. Që në momentin që Kosova u pranua me të drejta të plota në UEFA dhe klubet e tyre do luanin në kupat e Europës, pritej që dalëngadalë të kishte një kombinim rrethanash dhe forcash. Në kampionatin vendas lënda e parë nuk mungon, në çdo skuadër ka të paktën 3-4 talente që mund të rriten dhe të bëhen të rëndësishëm. Organizimi gjithashtu meriton duartrokitje, klubet po mundohen të ngrenë buxhetet dhe pagesat janë korrekte, madje duke konkurruar dhe Kategorinë Superiore. Sigurisht që disi mungon përvoja, por ky është një element që mund t’ia ofrojë Shqipëria.
I pari i rëndësishëm pas hyrjes në UEFA ishte Bledi Shkëmbi. Ish-kapiteni i Skënderbeut zbarkoi në verë në Prizren së bashku me 8 futbollistë shqiptarë që një vit më parë kishin luajtur në Superiore. Dogana e futbollit nuk ekziston më.
Në Prishtinë Josa sapo ka nisur punën si trajner dhe dalëngadalë pritet që shumë lojtarë me përvojë nga Shqipëria – gjithashtu dhe trajnerë të zbarkojnë në Kosovë. Fillimi është një ironi më vete.
Josa dhe Shkëmbi kanë punuar së bashku 4 vite në Korçë, njëri si trajner e tjetri si lojtar. Tani herët a vonë do jenë kundërshtarë. Si në Kosovë, ashtu dhe në Shqipëri, kjo lloj qasje ka krijuar shumë entuziazëm. Është një mënyrë e mirë për të përfituar të gjithë. Klubet në Kosovë përvojën e trajnerëve dhe lojtarëve që kanë, sidomos shumë me shumë ndeshje ndërkombëtare në këmbë, futbollistët nga Superiorja përvojën e re, në një ambient të qetë dhe mbi të gjitha korrekt.
Virtualisht liga mbarëkombëtare po krijohet. Klubet shqiptare në Maqedoni gjithnjë e më sy po i hedhin sytë nga Kategoria Superiore, ndërkohë që Kosova dalëngadalë do mbushet me elementë nga Shqipëria. Përfitojnë të gjithë nga pak. Ka kaq shumë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia që dinë të luajnë e trajnojnë, sa ndoshta kur sheh kaq shumë të huaj nga Ballkani në këto kampionate e kupton se është kosto e harxhuar. Shqiptarët mbi të gjitha.
Gjergji Stefa