SKANERI I MEHMETIT / “Skënderbeut i bën mirë barazimi, Partizani e Kukësi duhen pritur”

Ish-trajneri i Dinamos dhe i Korabit kalon në “lupën” e tij javën e dytë të Kategorisë Superiore. “Kamza nuk rrezikon, Teuta në Europë do ishte sukses”

Vladimir Prenga

Superiorja prej dy javësh ka ndezur “motorët” dhe deri më tani ka pasur surpriza, duke bërë që kampionati të bëhet i paparashikueshëm. Të gjithë prisnin fitoren e Skënderbeut apo të Laçit, ndërkohë që edhe një humbje të Vllaznisë në shtëpi nuk është se e kishin menduar shumë vetë. Tashmë java e dytë është mbyllur dhe për “Sport Ekspres” është trajneri Dritan Mehmeti, që në maj të vitit 2016 ngjiti në Superiore skuadrën e Korabit, por më së shumti ka punuar me Dinamon. Ai ka analizuar gjithë përballjet e javës, duke dhenë mendimin e tij për gjithçka u pa në fushë dhe se çfarë pritet prej skuadrave deri në fund të kampionatit.

-Profesor Mehmeti, u mbyll edhe java e dytë e Superiores me një ndeshje Kukësi-Partizani. A mendoni se ishte në lartësinë e duhur ai takim?

Partizani-Kukësi nuk u ngrit në tempin e lojës së kërkuar, pasi akoma lojtaret nuk janë në gjendjen e tyre optimale fizike dhe kjo mendoj është një nga faktorët kryesor. Ndryshimet e shumta në përbërje kanë ndikimin e vet sepse lojtarët duan kohë të përshtaten me filozofinë e trajnerëve dhe me njëri-tjetrin. Gjithashtu mungon shumë fantazia, ndaj dhe vuajnë shumë skuadrat në pasin e fundit dhe në finalizimin dhe shënimin e golave. Partizani ndërton mirë lojën sulmuese, por vuan në 30 metrat e fundit dhe nuk ka ekuilibër gjatë lojës. Kukësi vuan në organizimin e manovrës sulmuese dhe sinkronizimin e lojtarëve me njëri-tjetrin, gjithashtu  nuk ka ekuilibër. Ka lojtarë me cilësi individuale shumë të mira, por nuk luajnë si grup dhe nuk i vënë në shërbim të skuadrës. Ndryshimet në përbërje duan kohe të përshtaten me skuadrën. Milinkoviçit i duhet shumë punë taktike dhe t’i vendose lojtarët në pozicionet që ata japin më shumë. Duhet gjithashtu t’u ndryshojë mentalitet dhe t’u imponojë filozofinë e lojës së tij.

-Teuta e ka nisur me dy fitore, teksa së fundmi mposhti Vllazninë. Deri ku mendoni se mund të arrijnë durrsakët? Po Vllaznia, ku e ka problemin kryesor?

Teuta mendoj se me ndryshimet që ka bërë dhe me organizimin e ri të skuadrës them se do jetë një skuadër shumë e fortë. Me punën profesionale që bën Magani mendoj se do jetë arritje për Teutën të kapë Europën. Vllaznia mendoj vuan ne organizimin e klubit dhe në merkato, pasi nuk arrin të marrë 3-4 lojtarë që bëjnë diferencën, sidomos në repartin e sulmit. Gjithashtu vuan dhe në personalitet si skuadër, ndaj nuk ka vazhdimësi në lojë. Vllaznia nuk interpretoi mire ndeshjen në të dyja fazat e lojës. Ata nuk vuajnë vetën në repartin e sulmit, por dhe mosardhjen në formë të lojtarëve kryesor. Teuta u tregua cinike dhe racionale. Iu përshtat kundërshtarit dhe u vendos mirë në fushë. Nuk i la hapësira dhe e goditi me kundërsulme Vllazninë, gjithashtu kishte më shumë ekuilibër në lojë si skuadër, sikurse dhe karakter e disiplinë taktike.

-Kundërsulmi është loja e zgjedhur nga shumë skuadra. E bëri Luftëtari në Laç dhe fitoi. Si e patë përballjen mes këtyre dy skuadrave?

Mendoj se jo vetëm te Laçi dhe Luftëtari zgjidhen ndeshjet me kundërsulme, kjo është një taktikë që zgjedhin trajnerët në varësi të kundërshtarit dhe se ku luajnë. Mendoj se të gjitha skuadrat në javët e para do të vuajnë në aspektin tekniko-taktik, pasi nuk kanë arritur gjendjen e tyre optimale në cilësitë fizike. Përballja nuk u ngrit në nivelin e kërkuar sepse të dyja skuadrat kanë ndryshuar shumë, por diferencën e bënë individualitetet e Luftëtarit. Të dyja skuadrat kanë probleme në repartin e mbrojtjes.

-Skënderbeu shkëlqeu në mesjavë për 45 minuta ndaj Dinamos së Kievit, por ndaj Kamzës pati probleme. Pse vjen kjo?

Skënderbeu vuajti me Kamzën për dy arsye: lodhja në Europa Ligë dhe euforia që tregoi në  këtë ndeshje. Mendoj se Skënderbeu me Dajën ka ndryshuar shumë, por duhet të menaxhojë mirë energjitë dhe rotacionin në kampionat. Skënderbeut i ka bërë mirë ky barazim sepse do ta ulë me këmbë në tokë.

-Kamza nga ana tjetër po tregohet një “kockë e fortë”. Sa besoni se ekipi i Ndreut mund të surprizojë këtë sezon?

Mendoj se Kamza do surprizojë, pasi e bëri nga kjo javë dhe me organikën që ka mendoj se do të jetë shumë e fortë. Vetëm se do duhet kohë dhe durim, pasi është një skuadër e re dhe duhet menaxhuar me shumë kujdes në të gjithë komponentët, nga presidenti deri te stafi dhe lojtarët. Kamza do bëjë shumë mirë dhe mendoj se nuk do të rrezikojë rënien.

-Flamurtari fitoi dhe iu zhbllokua sulmi ndaj Lushnjes. Sa shanse ka që vlonjatët të bëjnë një kampionat ndryshe?

Flamurtari vuan në lojën në grup, ka elementë shumë cilësorë, por duhet t’i vendosë në shërbim të skuadrës vlerat e tyre. Vështirë ta përcaktoj ku mund të arrijnë, sepse ndryshojnë çdo vit dhe s’kanë vazhdimësi në lojë. Duhet shumë kujdes në menaxhimin e skuadrës, sidomos në aspektin psikologjik. Dalja me karton të kuq e Bicajt motivoi lojtaret dhe këtu është forca e Flamurtarit kundër Lushnjes, pasi ka lojtarë që bëjnë diferencën dhe dinë t’i menaxhojnë të tilla situata, kurse Lushnja është shumë e brishtë dhe i mungojnë shumë komponent dhe organizim për t’u përballur në Superiore, ku buxheti mendoj se është faktori kryesor.

-Lushnja po bën shumë gabime. Mungesë besimi apo mendoni se ka diçka tjetër…

Lushnja vuan në çdo aspekt, në organizimin e skuadrës, fusha stërvitore, në organikën e lojtarëve dhe në buxhet. Do të hasë shumë vështirësi sepse janë shumë faktorë kundër saj, por të vjen keq sepse ka një tifozeri të zjarrtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online