Numri një i klubit është takuar me trajnerin, por asgjë nuk është vendosur mbi të ardhmen. Në 48 orët e ardhshme merret vendimi për stafin teknik
Vladimir Prenga
Mjegullnaja te Tirana pritet të largohet shumë shpejt, pasi presidenti Refik Halili po mendohet mirë dhe në 48 orët e ardhshme do të marrë vendimin përfundimtar për stafin teknik. Ditën e djeshme ka pasur një takim mes numrit një të klubit dhe trajnerit Mirel Josa, por nga ai takim nuk është marrë një vendim. Siç edhe kemi shkruar edhe më parë, Josa nuk e jep dorëheqjen dhe arsyet për këtë janë disa, por dy janë më kryesoret: E para, nëse ai do të paraqesë dorëheqjen, “de fakto” do pranonte dështimin dhe barra më e madhe e rënies së Tiranës nga Kategoria Superiore për herë të parë në histori do të binte mbi të. Të paktën shumë do e lexonin kështu dhe Josa kurrsesi nuk e do diçka të tillë, edhe pse “njolla” ka rënë mbi të gjithë aktorët e këtij sezoni, që i pa bardheblutë ta mbyllnin kampionatin në vendin e parafundit. Një dështim! Arsyeja e dytë, është ajo e kontratës së “majme” që trajneri kryeqytetas ka me 24-herë kampionët e vendit. Në nëntor ai nënshkroi një kontratë për 1 vit e gjysmë, nga e cila përfiton një pagë mujore prej 4500 eurosh dhe normalisht për ta ndërprerë duhet bërë një marrëveshje.
VENDIMI – Klubi priste që ditën e djeshme Komisioni i Etikës të dilte me një vendim mbi çështjen “Skënderbeu”, por kjo nuk ka ndodhur, pasi Etika e shtyu mbledhjen për më 23 qershor. Në këto kushte, presidenti Halili nuk dëshiron të humbë kohë dhe do mendohet mirë në lidhje me stafin teknik. Gazeta mëson se pritet të ketë edhe një tjetër takim midis presidentit të bardhebluve dhe trajnerit Josa. Aty do vendosen pikat mbi “i” dhe Tirana do të nisë nga puna. Mbetet për t’u parë se kush do të jetë trajneri.
DISFAVORI – Koha është në disfavor të Tiranës, pasi duhet të nisin përgatitjet për ndeshjet e kupave të Europës. Josa kërkon të dijë të ardhmen e tij, ndërsa Halili të sqarohet me veten dhe të marrë një vendim që është mjaft i rëndësishëm. Veç vendimit të trajnerit, skuadra ka nevojë edhe për përforcime, pasi largimi i Takut dhe i Teqjes, lënë një boshllëk të madh në skuadër. Siç dihet edhe Gentjan Muça mungon dhe i bie që prapavija t’u besohet të rinjve Cake, Turtulli e Domgjoni. Kohë nuk ka më, ndaj pritet që të gjithë në kampin bardheblu të përveshin mëngët dhe të punojnë për të bërë një paraqitje dinjitoze në Kupat e Europës. Veç kalimit të ndonjë turi, dëshirohet që ndeshjet në arenën Europiane të shfrytëzohen edhe për të shitur ndonjë lojtar.