Së fundmi, mbrojtësi italian ka folur për mediat, teksa ka uruar Milanin dhe blerjen më të re Piatek për sa më shumë fat. Gjithashtu, 31-vjeçari ka thënë se tek ekipi kuqezi nuk ka qenë Bonuçi i vërtetë dhe se kishte nevojë të rikthehej në shtëpi te Juventusi.
E TASHMJA – “Tani jam pjekur dhe jam më racional kur vjen puna te vendimet. Jeta të sjell eksperienca që të bëjnë të rritesh. Unë kalova mes këtyre eksperiencave, si brenda ashtu dhe jashtë fushe. Sot mund të them që jam një njeri më i mirë, ose të paktën më i mirë nga çfarë kam qenë më parë. Bonuçi që ishte te Milani nuk ishte Bonuçi i vërtetë”.
E KALUARA – “E shkuara nuk ka rëndësi në rast se nuk të ka mësuar të bëhesh një person më i mirë, kështu që duhet të shohim përpara dhe të përgatitemi për sfidat e ardhshme”.
MILANI – “I uroj Piatek dhe të gjithë Milanit fat të mbarë. Pavarësisht nga ajo që ndodhi, ata mbeten një kujtim fantastik për mua, një ndërthurje që më bëri të piqem akoma më shumë, mbi të gjitha në aspektin njerëzor. Për këtë arsye kisha nevojë të kthehesha në shtëpi te Juventusi”.
“EL PIPITA” – “Higuain? Ai është miku im dhe kohët e fundit hëngrëm një darkë së bashku. Më dukej mirë dhe shpresoj që të rikthehet të jetë lojtari i madh që ka qenë gjithmonë”.