Nuk po bën goditje të mëdha, nga ato që çmendin tifozët, por për ato ka kohë, sepse jemi ende në qershor.
Ndërkohë, Interi ka gjetur trajner dhe gjithashtu një drejtor sportiv të zotin si Valter Sabatini, i cili sapo ka mbyllur një operacion të shkëlqyer me Xhenoan, prej ku ka marrë dy supertalente.
Pietro Pelegri e Salsedo Mora janë të Interit dhe do të qëndrojnë në huazim për një ose dy vite në Xhenova.
Për sulmuesin Pelegri, i cili është vetëm 16 vjeç, por ka shënuar një gol në Serinë A, bëhet fjalë për 15 milionë euro ofertë, si dhe 15 milionë të tjera bonuse, në lidhje me numrin e ndeshjeve që do të luajë me Interin.
Për Salsedon, që ende nuk ka debutuar në Serinë A dhe është vetëm 15 vjeç, Interi ka ofruar 5 milionë euro, por edhe 25 milionë euro bonuse, në varësi të ecurisë së karrierës së tij.
Marrëveshja është arritur dhe do të zyrtarizohet më 1 korrik, kur të nisë merkatoja zyrtarisht.