Federbet akuzoi pa fakte, Kukësi gati ta paditë

0

Federbet, kompania në teori jofitimprurëse, por që synon të futet në treg dhe të paguhet nga kampionatet e federatat e ndryshme për t’u zbuluar ndeshjet e trukuara, duket se do të përballet në gjyq me Kukësin.

Para pak ditësh Kukësi u mund 7-0 nga Volfsberger dhe menjëherë pas ndeshjes Federbet postoi një mesazh të shkurtër në faqen e vet në Facebook: “Nisën miqësoret dhe menjëherë kuota shumë të çuditshme në Volfsberger-Kukësi 7-0!!! E trishtueshme që asgjë nuk ndryshon, aktorët mbeten të njëjtët dhe miqësoret kthehen në stërvitje për manipulim ndeshjesh”.

Problemi në këtë postim qëndron në faktin se denoncimi i një trukimi nuk bëhet thjesht me 2 fjali, pa postuar as kuotat që paskan qenë shumë të çuditshme. Federbet nuk bën asgjë tjetër veçse monitoron tregun ndërkombëtar të basteve, ashtu si mund ta bëjmë edhe ne nga Shqipëria dhe duke kontrolluar tregun aziatik të basteve, rezulton se akuza e Federbet nuk qëndron, pasi kuotat për ndeshjen e Kukësit kanë qenë normale, me fluks të vogël parash natyrisht kundër Kukësit, pasi dihet që në një miqësore ndaj një skuadre austriake, që ka disa javë që i ka nisur përgatitjet, është normale të jemi inferiorë. Kuotat mund t’i shihni më poshtë dhe gjatë gjithë ndeshjes ecuria ka qenë normale si në fillimin e saj. Ndoshta Federbet mund të publikonte një foto të tillë, për të gozhduar Kukësin, nëse kishte kuota të tipit 1.07, 1.11, tipike në rastet kur vërshojnë miliona vetëm në njërin krah.

KUOTAT E HANDIKAPIT AZIATIK PËR GOLAT KUR NISI NDESHJA

KUOTAT E HANDIKAPIT AZIATIK PËR REZULTATIN FINAL KUR NISI NDESHJA

KUOTAT E REZULTATIT FINAL PARA DHE NË FILLIM TË NDESHJES

Ajo që ka tërbuar Kukësin është jo vetëm mosnxjerrja e provave, por mbi të gjitha edhe fraza “aktorët mbeten të njëjtët”, pasi Kukësi asnjëherë në Kupat e Europës apo miqësore ndërkombëtare nuk është përlyer dhe kjo është pika ku krenohet më së shumti Safet Gjici, i cili në karrierën e vet si president i Kukësit as që e ka çuar ndërmend që të hapë portën në një ndeshje, për të përfituar në aspektin financiar.

Tani Supersport raporton se Kukësi ka ndërmend ta çojë në gjyq ndërkombëtar këtë çështje, duke paditur Federbetin për prishje imazhi dhe duke i kërkuar të provojë akuzën.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.