Të gjithë tifozët e Interit po presin konferencën e parë për shtyp të Antonio Kontes, por është ende shumë herët. Trajneri i ri do të flasë për çdo temë me datë 8 korrik, ditën kur do të nisë faza përgatitore e zikaltërve.
Megjithatë, Konte ka folur shkurt për GQ, aty ku ndalet te mundësia e fitimit të trofeve me Interin. Vështirësitë janë të mëdha, por po aq janë edhe ambiciet e trajnerit, kështu që tifozët duhet të rrinë të qetë.
“Mund ta pranoj që do të kem pak shanse për të fituar në vitin e parë, por mundësitë ekzistojnë. Mund t’ia dalim, nuk kemi limite dhe po pres me padurim që të dërgoj Interin aty ku i takon. U befasova nga vendosmëria e presidentit Zhang për të më besuar stolin. Tifozët të acaruar me të kaluarën time? Ne jemi profesionistë, por tifozët bëjnë mirë që janë të acaruar”, përfundon Antonio Konte.