Interi ka nisur të mendojë për sezonin e ardhshëm dhe ka piketuar disa emra për të përforcuar skuadrën. Siç rapotojnë mediat italiane, por dhe ato britanike, zikaltrit kanë nisur bisedimet me skuadrën e Mançester Sitit për firmën e brazilianit Danilo.
Mbrojtësi anësor nuk bën pjesë në planet e Pep Guardiolës dhe ka pranuar të largohet nga “Qytetarët”, për t’iu bashkuar Interit në Serie A. Mbetet për t’u bindur vetëm klubi anglez, që kërkon të arkëtojë po aq sa shpenzoi dy sezone më parë, ku i pagoi Realit të Madridit 35 milionë euro.
Interi nuk ka ndërmend të paguajë një shumë të tillë, duke parë që edhe minutat për Danilon këtë sezon kanë qenë me pikatore. Mbetet për t’u parë nëse dy ekipet do të gjejnë gjuhën e përbashkët për këtë transferim, por me shumë gjasa, Danilo do të jetë një nga afrimet e Interit për sezonin e ardhshëm.