Kristian Panucci dhe Elseid Hysaj ishin të pranishëm në konferencën për shtyp para ndeshjes së nesërme kundër Turqisë. Trajneri dhe kapiteni i kombëtares kuqezi folën me optimizëm për këtë sfidë, ku u shprehën se mbrojtja jonë mund ta ndalë sulmin e Turqisë dhe mundësitë për të fituar 1-0.
Sulmi i Turqisë, a i friket Shqipëria?
PANUÇI – “Sulmi i Turqisë është shumë e fortë, por mbrojtësit tanë janë shumë cilësorë. Luajnë në ekipe shumë të forta dhe të njohura, prandaj do të jetë një përballje që mund ta fitojmë. Më kënaq dhe një 1-0”.
HYSAJ – “Ne luajmë të gjithë në Serie A dhe në çdo ndeshje kemi të bëjmë me sulmues të tillë si të Turqisë. Jemi stërvitur për çdo detaj dhe nuk do të kemi shumë rreziqe në prapavijë”.
Kush është pika më e fortë e Turqisë?
PANUÇI – “Është e vërtetë që Turqia është skuadër shumë e fortë, por nëse lojtarët futen në fushë për të dhënë maksimumin, jam i bindur që do të marrim rezultatin e duhur”.
A ndryshon Turqia nga skuadra e një viti më parë?
PANUÇI – “Turqia ka ndryshuar totalisht, kanë një ekip të ri dhe me shumë kualitet. Është i ndryshëm edhe qëllimi i sfidës, pasi nesër luhet për kampionatin europian. Ne duhet të jemi më të mirët në fushë, në mënyrë që të fitojmë”.
Pritshmëritë konkrete dhe rezultati që synohet kundër Turqisë?
PANUÇI – “Pritshmëritë janë shumë të mëdha, duam rezultat pozitiv. Kemi kualitete, skuadra është e përgatitur. Edhe Turqia ka kualitet, por unë jam i bindur që do të arrijmë fitoren. Gjithçka mbetet për t’u parë nesër, por skuadra ime mund të marrë fitoren nëse jep maksimumin”.
Vendimi i Lenjanit, a ka shanse që ai të rikthehet siç ishte rasti i Xhakës?
PANUÇI – “Lenjani është thirrur gjashtë herë. Dy javë para grumbullimit, e kemi njoftuar, por ai tregoi mungesë respekti, jo ndaj meje, por ndaj Shqipërisë. Nuk mendoj se ka rëndësi të flitet për një letër me anë të Instagramit. Djemtë që janë gati janë të mobilizuar, të përgatitur për lojë. Nuk ka si të krahasohet me rastin e Xhakës. Taulanti është treguar super profesionist. E vetmja gjë që trajneri nuk do, është të ketë probleme me lojtarët e vet. Këto që jemi këtu, jemi shumë të komunikueshëm dhe askush nuk hap probleme”.
Janë shumë lojtarë që luajnë në skuadra të rëndësishme. Ku mendoni se ka potencial më shumë Shqipëria?
PANUÇI – “Skuadra ka shumë potencial. Ne duhet vetëm të fokusohemi kundër Turqisë dhe Islandës, Francën ta lejmë në punë të vetë. Ekipi ka lojtarë të mirë, por duhet ende shumë rrugë për të bërë.
Je një nga lojtarët që ke qenë edhe në “Euro2016”, por je dhe kapiten i kombëtares. Megjithatë, Sadiku tha që mungon diçka. Çfarë mungon sipas jush?
HYSAJ – “Nuk na mungon gjë, pasi kemi puanuar mirë dhe kemi marrrë leksionet e duhura nga ndeshja e kaluar. Do të bëjmë më të mirën tonë dhe të arrijmë edhe njëherë në atë pikë ku ishim para tri vitesh”.
Si kapiten, keni folur me Strakoshën dhe a është mërzitur ai apo jo?
HYSAJ – “Nuk është se vendosim ne se çfarë do të ndodhë. Çdokush që gabon, duhet ta paguajë gabimin. Thjesht i kam thënë të jetë i qetë dhe të marrë mësim nga kjo gjë. Është një lojtar i rëndësishëm për ne dhe shpresoj të rikthehet më i fortë”.
Çfarë ndjesie ke që je kapiten dhe a është i gatshëm Hysaj që të sakrifikohet në krahun e majtë të mbrojtjes?
HYSAJ – “Ndjesia është shumë i mirë që do të jem kapiten në vendlinjen time. Do të sakrifikoj, do të luaj dhe në krahun e majtë, pasi e kam provuar si rol edhe në ekipet ku kam luajtur në Itali. Nuk do të jetë problem”.
Duke e njohur mirë skuadrën e Romës, ju gëzon fakti që Xhengiz Ynder nuk do të luajë? Çfarë mendimi keni për futbollin turk?
PANUÇI – “Futbolli turk është si në të gjithë botën, ka rënien dhe rritjen e vetë. Sengiz Ynder nuk do të jetë nesër, një lojtar shumë cilësor dhe ndër më të mirë të Roma. Megjithatë, kanë lojtarë të tjeë shumë të mirë dhe që e ndjejnë shumë fanellën e Turqisë, që nga fillimi i takimit te himni, deri në sekondën e fundit”, përfundoi Panuçi.