Hidhërimi i Gatuzos mes perlave historike: Te Milani im më merrnin me shpulla, tani lojtarët dëgjojnë hip hop!

Xhenaro Gatuzo ka zhvilluar një karrierë të madhe dhe ka shumë për të treguar. Ish-mesfushori i Milanit të mrekullueshëm të Ançelotit, sot në vend të ish-trajnerit të tij, flet për ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur.

Rino tregon se çfarë e bëri Milanin ekip aq të madh, ndërsa sot është ndryshe. Respekti mungon dhe të gjithë janë më të llastuar. Një emër si Paolo Maldini merrte aulinë çdo ditë për të përballuar stërvitjen, lojtari më i fortë me të cilin Rino ka luajtur ndonjëherë.

Trajneri i kuqezinjve kujton dhe ditën e parë të stërvitjes në Milanelo, aty ku i erdhën dy goditje rrufe nga Kostakurta. Sot mezi presin që të bësh ndonjë gabim dhe të gjithë ia plasin së qeshurës.

RESPEKTI – “Mendoj se ajo që ka shpëtuar Milanin ndër vite ka qenë respektimi i rregullave. Pak herë i është dashur të ndërhyjë Galianit, madje ishim ne që i shkonim në zyrë dhe e detyronim të ndërhynte. E respektonim historinë e klubit, sot është më e vështirë. Mentaliteti i lojtarëve ka ndryshuar. Sot duhet të tregohesh i kujdesshëm, më parë duhet të mbyllje gojën.”

DITA E PARË – “Ditën e parë në Milanelo u rruajta dhe lashë nja dy qime në lavaman. Mora dy goditje kokës nga Kostakurta dhe e kuptova menjëherë se çfarë mentaliteti ekzistonte te Milani. Galiani tentoi të më bindte për të qëndruar akoma kur u largova si futbollist, por nuk ndihesha më rehat, nuk flisja më gjuhën time. Shumë personave nuk iu pëlqente më ajo çfarë thonim unë, Ambrozini dhe Abiati. Sot jetojmë në një epokë tjetër.”

TRAJNERI – “Gjërat kanë ndryshuar. Një trajner ka nevojë për futbollistë të gatshëm për sakrifica, për t’u përmirësuar dhe për të dhënë diçka më shumë. Sot duhet të tregohesh i kujdesshëm kur i thua diçka djemve. Fillojnë menjëherë të ankohen dhe të krijojnë alibi. Kanë ndryshuar gjërat e vogla në dhomat e zhveshjes. Dikur mund të dëgjoje vetëm muzikë italiane. Tani qeshin nëse e dëgjojnë diçka të tillë. Ka vetëm gjëra të huaja, hip hop, të gjithë me kufje dhe ndoshta shikojnë edhe ndeshjet angleze dhe spanjolle që luhen në orare të ndryshme.”

DHOMAT E ZHVESHJES – “Sot çdokush mendon për vete, por ka një problematikë që e kanë të gjithë në Serie A. Në vitin 1999 nuk dëgjohej muzikë në dhomat e zhveshjes dhe të gjithë ishin të përqendruar. Si trajner kam provuar ta heq. Më bezdis shumë, por çfarë t’i bëj faktit që të gjithë e duan. Më parë qëndronim grup dhe kalonim për mrekulli. Sot zhduken një nga një sapo mbarojnë së ngrëni.”

MALDINI – “Së pari çdokush duhet të jetë i qëndrueshëm, edhe jashtë fushave. Talenti nuk mjafton kurrë. Kampion bëhet dikush që nuk humbet asnjë stërvitje, që është i qëndrueshëm, që arrin gjithmonë në orar, që bën punën e tij në 360 gradë dhe që respekton çdo rregull. Prandaj e përsëris gjithmonë që Maldini ka qenë më i forti në botë, sepse bëhej gjithmonë copash. Ai merrte 1-2 aulina në ditë për të mos humbur asnjë stërvitje. Mund të kishte jetuar për mrekulli nga të ardhurat që fitonte, por nuk hoqi dorë kurrë nga asgjë. Paolo është lojtari më i fortë më të cilin kam luajtur ndonjëherë. Ky ishte sekreti i atij grupi historik. Një rregull respektohej dhe pikë.”

BOTËRORI 2006 – “Mbaj mend që nuk festova fare te goli i Grosos në gjysmëfinalen kundër Gjermanisë. Isha i fundit në mesfushë dhe nëse ata niseshin në sulm, më duhej t’i thyeja. Gjithmonë kam dashur në jetë që të bëhem më i forti i rolit tim, të rikuperoj topa pafund dhe kam dashur të përmirësohem. Nuk është e vërtetë që nuk kisha cilësi. Thjeshtë i dija limitet e mia dhe vihesha në dispozicion të grupit.”

2007 – “Në vitin 2007 klubi na dërgoi në Maltë për fazën përgatitore të janarit. Ishte një erë e ftohtë dhe të gjithë ishim të acaruar me Galianin. Sapo u kthyem në Milano filluam të bënim mirë. Qëndronim rreth 10-14 futbollistë deri në 5 të mëngjesit duke pirë verë. Këto gjëra na forconin me njëri-tjetrin. Në fund fituam Champions Ligën.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online