Më 2 maj të vitit 2019 Komisioni i Disiplinës u mblodh dhe mori shumë vendime. Mes tyre ishte edhe hapja e një çështjeje për lojtarët Idriz Batha dhe Marko Radas. Në pikën 24 të vendimeve të Disiplinës shkruhej: “Çeljen e hetimit disiplinor për incidentin midis lojtarit të FC Flamurtari, Idriz Batha dhe lojtarit të KF Skënderbeu, Marko Radas”.
Kur kanë kaluar dy javë, ende nuk ka një qëndrim të Disiplinës. Ky Komision është mbledhur dy herë të tjera dhe nuk ka informacion në lidhje me hetimin e nisur. Ndoshta klubet dhe lojtarët janë njoftuar për pushimin e çështjes, por zyrtarisht gjithçka është në ajër sa kohë askush nuk bën një njoftim.
Mund të ndodhë që para një ndeshjeve vendimtare Batha dhe Radas të pezullohen dhe normalisht planet e Shehit dhe të Dajës të hidhen në erë me dënimin e dy titullarëve të rëndësishëm. Normalisht Disiplina duhet të kishte sqaruar gjithçka dhe situata të qartësohej për të gjithë.
Nuk do habitej askush sikur të jetë harruar që është hapur një hetim, Disiplina është kujdesur shpesh të na dhurojë çudi nga më të ndryshmet. Me afatet dihet që ata nuk i kanë marrëdhëniet e mira dhe me këto ritme ndoshta një ditë të bukur vere do të na dalë edhe ndonjë vendim për Bathën dhe Radasin. Ne këtu jemi, presim…