Hesapet pa hanxhiun, Ibrahimi refuzon Prishtinën

Presidenti i Partizanit Gaz Demi ishte dje në Prishtinë, darkoi me presidentin-mik të Prishtinës, Remzi Ejupi, dhe gjatë darkës i premtoi dhe dy futbollistë, Mentor Mazrekaj dhe Labinot Ibrahimi.

I pari ka kohë që përflitet për kthim në Kosovë dhe duket se e dëshiron vetë një gjë të tillë, duke parë problemet fizike që ka pasur te Partizani dhe lidhjen e fortë që ka me Prishtinën, ku ka familjen e shoqërinë.

Megjithatë, të dy janë nën kontratë dhe duket se Partizani nuk e ka pyetur fare Labinot Ibrahimin për transferimin.

Mbrojtësi 31-vjeçar nuk di asgjë për këtë histori dhe vetëm pak kohë më parë rinovoi me Partizanin, ndaj ka mbetur i habitur nga kjo kthesë e Partizanit. I kontaktuar nga “Sport Ekspres”, Ibrahimi është shprehur se nuk ka asgjë të vërtetë në lidhje me kthimin e tij te Prishtina, duke mohuar praktikisht lajmin zyrtar të Prishtinës, që shkonte deri aty sa shkruante se marrëveshja është arritur me pëlqimin e Mazrekajt dhe Ibrahimit.

Ndoshta Ibrahimi do të bindet në vazhdim, për të evituar konfliktin me Partizanin, por gjithsesi klubi i kuq do të bënte mirë ta njoftonte para se ta zyrtarizonte si të larguar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *