Atletiko Madrid arriti fitoren e parë në kampionat këtë sezon. Djemtë e Simeones fituan me rezultatin 1-0 me Rajo Vajekanon, ndeshje në të cilën lojtarët deçiziv ishin: Grizman dhe Oblak. Francezi shënoi golin e fitores, ndërsa portieri slloven ishte i pakalueshëm. Tre raste të pastra për gol për miqtë në minutat e fundit, por Oblak është një fenomen mes shtyllave.
Drejtuesit e klubit spanjoll janë gati për t’i rinovuar kontratën portierit, i cili është një nga objektivët kryesore për klubet e mëdha europiane. Aktualja i skadon në vitin 2021 dhe 25-vjeçari ka një klauzolë shitje prej 100 milionë eurosh. Atletiko dëshiron ta blindojë dhe është gati për t’i ofruar atij rinovimin e kontratës, përpara Krishtlindjeve. Klauzola do të dyfishohet siç citon “AS”, dhe ekipi që kërkon shërbimet e sllovenit do duhet të paguajë 200 milionë euro. Portieri është dakort parimisht për të rinovuar, por çështja e klauzolës së re është akoma për t’u diskutuar.
Nga ana tjetër, Grizman ka folur mbas fitores duke “snobuar” tifozët e Atletikos. Në stadium u dëgjuan vërshëllima, por diçka e tillë nuk është një problem për sulmuesin francez.
“Gjëja më e rëndësishme janë pikët dhe jo loja e skuadrës. Ne jemi Atletiko e Madridit, nuk zhvillojmë një futboll të bukur, por ne besojmë që pikët janë ajo çfarë ka rëndësi. Ëndërroj të vazhdoj të fitoj. Topi i Artë vendoset nga persona të tjerë, por unë jam krenar për çka kam fituar dhe falënderoj shokët e kombëtares dhe të Atletikos. Jam kandidat për topin e artë, por gjithmonë kam vënë interesin e skuadrës përpara vetes time”, përfundon Grizman, i cili fitoi Kupën e Botës me Francën, dhe Europa Ligën dhe Superkupën e Europës me Atletikon.