Monako ndoshta po përjeton një ndër sezonet më të këqija të viteve të fundit, teksa e sheh veten në vendin e parafundit të renditjes pas 12 javësh. Trajneri i ri, Tierri Henri duket se nuk po e kthen aty ku duhet klubin dhe humbja e mbrëmshme ndaj Reims, i ka ç’ekuilibruar gjërat akoma më shumë.
Pas sfidës tekniku francez foli për situatën aktuale dhe u shpreh gati i dorëzuar, pavarësisht se nuk e tha me fjalë, zhgënjimi i tij u duk qartë. Ish-sulmuesi tha për mediat franceze se lojtarët e tij refuzojnë të luajnë dhe nuk po prodhojnë futboll.
“Reims i fitoi pothuajse të gjitha duelet. Ishim me një lojtar më shumë për shumë kohë dhe ne thuajse nuk ishim në ndeshje fare. Më pas u ndëshkuam dhe ne me karton të kuq dhe kjo na penalizoi akoma më shumë. Kjo ndeshje ishte akoma më shqetësuese, pasi nuk prodhuam për asnjë sekondë futboll. Nuk ka të bëjë me taktikën, ka të bëjë me dëshirën për të luajtur”.
“Në qoftë se nuk fitohet asnjë duel, atëherë është e vështirë që të fitosh një ndeshje. E kuptoj acarimin e fansave. Është një situatë shumë delikate. Kur nis ndeshja dhe lojtarët e tu refuzojnë të luajnë është me të vërtetë e vështirë. Duhet të rigjejmë besimin në vetvete. Në qoftë se do të mendoja që kjo skuadër nuk ka kualitet, nuk do të vija te Monako. Duhet të rikthehemi”, përfundoi i dëshpëruar Henri.