Hasan Lika: Ju tregoj çelësin e suksesit të Partizanit, rivalët prapa prej luhatjeve

0

Edhe pse sot drejton Vllazninë në Kategorinë e Parë, Hasan Lika vijon ta ndjekë Kategorinë Superiore. Për ndeshjet e javës së 22-të ai deklaron se cila skuadër fiton në ndeshjen Teuta-Kukësi, ajo do të jetë rivalja më e afërt e Partizanit në kreun e renditjes.

Për SportEkspres.com, Lika thekson se Partizani është treguar skuadër më e qëndrueshme në lojë e në rezultate, ndërsa Kukësi e Teuta kanë pasur luhatje, që i kanë larguar mes tyre në renditje. Sipas tij, ndeshja e javës së 22-të, Teuta-Kukësi është shumë e fortë për të dyja skuadrat.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Sot jeni trajner i Vllaznisë në Kategorinë e Parë, po me Superioren si e keni ndjekshmërinë?
-Edhe pse shumica e ndeshjeve në Kategorinë Superiore zhvillohen në të njëjtën ditë me ato të Kategorisë së Parë, ndjekshmëria ime për këtë kategori nuk është mbyllur. Jo vetëm si trajner profesionist, por edhe si ish-futbollist i elitës, Superiorja është pjesë e punës dhe e jetës.

Nisur nga pozicionet në renditjen e 21 javëve të luajtura, si e lexoni ecurinë e skuadrave?
-Mendoj se renditja e skuadrave në 21 javët e luajtura lexohet ashtu sikundër ajo është. Që do të thotë se të gjitha kanë marrë aq sa kanë dhënë, pa harruar se disa prej tyre edhe kanë gabuar dhe nuk kanë renditjen e menduar. Gjithsesi, kjo është renditja që kanë merituar të gjitha.

Jeni “ish” i Partizanit në trofeun e tij të fundit në kampionat, si e përshkruani këtë situatë për titullin kampion?
-Partizani ka një ecuri të mirë në këto 21 javë që janë luajtur në Superiore. Natyrisht që kjo mbetet meritë e gjithë skuadrës, e në veçanti e trajnerit Skënder Gega, Ai ka ditur ta menaxhojë mirë skuadrën në të gjithë treguesit. Rëndësi ka që të vazhdojë kështu.

Keni drejtuar si trajner Teutën dhe Kukësin, si e shikoni sfidën mes tyre për javën e 22-të?
-Në këndvështrimin tim, ndeshja Teuta-Kukësi është shumë e fortë për të dyja skuadrat. Janë të dyja skuadra me përbërje cilësore dhe në mendimin tim, kush do të gabojë më pak do të jetë më rezultative në lojë. Do jetë një ndeshje e hapur për të dyja skuadrat.

Kukësi e Teuta janë dy skuadra që kërkojnë të sfidojnë Partizanin në kreun e renditjes, a i kanë mundësitë?
-Cila skuadër do ta fitojë këtë sfidë të premten, ajo do të jetë ndjekësja më e afërt e Partizanit. Nga ana e tij Partizani asnjëherë nuk duhet t’i nënvleftësojë këto dy rivale në renditje. Kështu gara do të bëhet edhe më e bukur deri në fund, por sfida e Kukësit e Teutës për të marrë kreun është e vështirë.

Cilat mendoni se janë pikat më të forta të këtyre tre skuadrave në këtë ecuri të sezonit në vazhdim?
-Partizani është treguar skuadër më e qëndrueshme në lojë e në rezultate, ndërsa Kukësi e Teuta kanë pasur luhatje që i kanë larguar mes tyre në renditje. Te Partizani, dyshja Gega-Rama janë baza e arritjeve të deritanishme, por edhe për një vazhdimësi të mirë të skuadrës.

Ndeshjen e radhës në Kategorinë e Parë e luani në transfertë me Vorën, e mendoni të kalueshme?
-Absolutisht jo. Do të jetë një tranfertë e vështirë, pavarësisht emrit që ka Vora dhe pozicionit të saj në tabelën e renditjes. Të gjitha ndeshjet janë të vështira, por ne do bëjmë detyrën tonë deri në fundin e këtij kampionati.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.