Raxha Naingolan kaloi verën e këtij viti nga ekipi i Romës në drejtim të Interit. Një transferim mjaft i komentuar, pasi belgu ishte mjaft i lidhur me klubin verdhekuq, por sipas deklaratave të vazhdueshme të mesfushorit është zbuluar se Roma kërkoi që ta shiste Raxhan.
Në një rrëfim për mediat italiane, mesfushori 30-vjeçar ka folur rreth largimit nga Roma, pritjes që iu bë nga klubi zikaltër si dhe nga shokët e tij të skuadrës. Gjithashtu, Naingolan foli dhe për planet e tij pasi të tërhiqet nga futbolli, ku habiti jo pak duke thënë se do të largohet nga bota e futbollit, pasi nuk e sheh veten si trajner apo si ekspert.
“Shokët e skuadrës dhe klubi më pritën shumë mirë. Kjo ka rëndësi, pasi për mua nuk është e lehtë që të ndryshoja ekip. Kam qenë gjithmonë shumë i lidhur në vendet ku kam luajur, si në Kaljari ashtu dhe në Romë, dhash dhe mora shumë. Jam i lumtur që jam këtu, ku trajneri më ka dashur dhe më do si dhe kam një marrëdhënie të shkëlqyer”.
“Roma? Që kur mora vesh që donin të më shisnin, e mbylla atë kapitull. Kisha një periudhë në të cilën isha shumë i hidhëruar që karriera ime në Romë erdhi drejt fundit. Mënyra ime e lojës më bën që të jem i respektuar dhe i pëlqyer, sepse gjithmonë jap më të mirën në fushë. Jashtë fushës është një histori tjetër. Duhet ta shijosh veten dhe në qoftë se nuk e bën diçka të tillë sa je i ri, kur do e bësh?”
“Ka lojtarë që qëndrojnë zgjuar deri në pesë të mëngjesit pas ndeshjes, të tjerë preferojnë të shkojnë për darkë. Nuk shoh ndonjë diferencë mes të dyjave. Në qoftë se jeta ime do të ishte vetëm shpi-fushë dhe fushë-shpi, koka ime nuk do të ishte mirë, pasi kam nevojë që të qetësohem mendërisht”.
“E sigurt që nuk do të kem të bëjë me botën e futbollit pasi të tërhiqem. As si trajner, as si ekspert, asgjë. Sidomos kjo e fundit, do të ishte e pamundur për mua. Jam shumë i sinqertë, them gjithmonë atë që mendoj”.