Guardiola i mbyll dyert Sanços: Sa të jem unë, nuk ka shanse!

Xheidon Sanço nuk pranoi të rinovonte kontratën me Mançester Sitin dhe gjatë verës së kaluar u transferua te Dortmundi në Bundesligë. 18-vjeçari ofensiv po shkëlqen këtë sezon me verdhezinjtë, ndërkohë që debutoi me kombëtaren e Anglisë në ndeshjen kundër Kroacisë në Nations League.

Dortmundi pagoi 8 milionë sterlina për kartonin e tij, ndërsa mes palëve ka një klauzolë të veçantë. Nëse gjermanët vendosin ta shesin, Siti mund të barazojë ofertën e bërë për Sançon dhe ky i fundit do të rikthehej në Mançester. Trajneri i “Qytetarëve” shprehet i lumtur për rritjen dhe paraqitjet pozitive të djaloshit të talentuar, ndërsa nuk beson se ai do të rikthehet përsëri tek ekipi i Sitit. Të paktën, sa të jetë Guardiola në stol kjo gjë vështirë të ndodhë.

Xheidon Sanço

Nuk e di, në futboll kurrë mos thuaj kurrë, por me të vërtetë nuk e di. Mendoj se shkaku kryesor i largimit të tij ishte fakti që nuk dëshironte të qëndronte këtu. Kur ai nuk dëshiron të qëndrojë këtu, mendoj se nuk e ka në plan të rikthehet. Kjo është ajo çfarë më kalon në mendje në këto momente. Ndoshta rikthehet në të ardhmen, klub i ri, menaxher i ri, por nuk e di.

Ne dimë atë çfarë kemi bërë me Xheidon. Në bëmë maksimumin, por ai vendosi të largohej për në Gjermani, kështu që i uroj më të mirat. Ai po paraqitet realisht mirë atje. Sapo e ka nisur karrierën dhe shpresoj të arrijë objektivat e veta. Kjo është një shenjë e mirë për Anglinë, lojtarët po largohen dhe kjo është e rëndësishme për të ardhmen. Jam i lumtur që Sanço po luan mirë.”

Trajneri spanjoll komenton dhe situatën e Kevin De Brujn, i cili sapo është rikthyer nga dëmtimi. Belgu ka punuar gjatë periudhës së pushimit me një program të diferencuar dhe është gati për të zbritur në fushën e blertë. “Kevin është rikuperuar. Nuk e di nëse është në gjendje të luajë 90 minuta, por ai është stërvitur shumë mirë në dy javët e fundit. Lojtari nuk ndjen më dhimbje dhe është gati të rikthehet në lojë.”

Kundërshtari i radhës në kampionat është Bërnlei, që ka në portë Xho Hart. Gardiani 31-vjeçar do të zhvillojë ndeshjen e tij të parë kundër Mançester Sitin, me të cilin është aktivizuar për 12-të sezone, duke fituar dhe dy tituj kampionë. Guardiola është i sigurt për pritjen fantastike që do i dhurojnë tifozët në “Etihad Stadium”. “Nuk ka dyshime se sa i rëndësishëm ka qenë dhe është Hart për tifozët tanë. Nesër do e shihni vetë, se si njerëzit do e vlerësojnë, për atë çfarë ka dhënë për këtë klub”, përfundon Guardiola prononcimin e tij për “Telegraph.co.uk”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *