Trajneri i Mançester Sitit, Pep Guardiola u shpreh jashtëzakonisht i lumtur për triumfin e skuadrës së tij përballë rivalëve të Çelsit. Në fjalën e tij pas ndeshjes, tekniku i thuri elozhe Serxhio Agueros, si dhe analizoi sfidën përballë Bluve të Londrës, të cilën të tijtë e fituan me rezultatin thellë 6-0:
“Javë e pabesueshme, ndeshje e pabesueshme. Jemi me shumë fat që shënuan tre gola në katër aksionet e para. Pasi rezultati shkoi 3-0, ata luajtën më mirë se ne, por pasi shënuam dhe dy gola të tjerë, nuk ishte e lehtë për ta.
Çelsi mori kontrollin e topit, luajtën shumë mirë, prandaj kjo fitore më kënaq dyfish. Të shënosh gjashtë gola kundër Çelsit dhe të luash ashtu siç ne luajtëm, është një meritë e plotë e lojtarëve të mi, ishin të pabesueshëm.
Kemi folur në mëngjes për mënyrën si do të luajmë. U stërvitem me goditjet standarte, me disa lëvizje pas shpine dhe e dinim që do të shënonim në një mënyrë ose tjetër, por të realizonim gjashtë herë, këtë gjë nuk e kisha parashikuar.
Aguero? E kam thënë shumë herë, ai shënon shumë gola në çdo sezon. I admiroj lojtarë të tillë, që kanë një vazhdimësi të tillë. Kemi dhe lojtarë të rinj dhe deri sa ata të jenë gati të luajnë dhe të udhëheqin skuadrën, do të varemi gjithmonë nga Serxhio”,- përfundoi Guardiola.