Pep Guardiola ka qenë një ndër të ftuarit special në një event në Trento, ku pjesëmarrës ishin figura të shquara të trajningut si Karlo Ançeloti dhe Arrigo Saki. Spanjolli iu përgjigj një mori pyetjesh, ku ndër to dhe një mbi një eksperiencë të mundshme në futbollin italian.
“Përse jo. Nuk e kisha menduar asnjëherë se mund të shkoja në Gjermani e të mësoja gjermanisht. Këtu hahet shumë mirë”, tha Guardiola duke qeshur, ndërsa komentoi mbi shanset e skuadrës së tij për të fituar Champions-in e parë në histori dhe të tretin personal.
“Në Champions favorite janë skuadrat që kanë histori dhe traditë: Barcelona, Real dhe Juventus, që i po afrohet fitimit të trofeut vit pas viti, ndërsa tani kanë dhe Kristiano Ronaldon dhe Atletikon e shikoj si një ndër favoritët, do përpiqemi që të jemi ndër to”, tha tekniku spanjoll.