Tirana u ndal në barazim 1-1 me Skënderbeun, ndërkohë që në këtë takim u ndëshkua me karton të verdhë Bedri Greca. Sulmuesi anësor në këtë mënyrë ka humbur derbin me Partizanin, që pritet të luhet ditën e premte.
Edhe Imami e rrezikonte derbin, por nuk u ndëshkua. Blazhevski me tre të verdha prej kohësh as që ishte i grumbulluar, kurse Marvin Turtulli qëndroi në stol gjatë gjithë lojës. Kështu, vetëm Greca do të mungojë për shkak kartonësh.
SEDAT BERISHA – Mbrojësi qendror u mor te Vllaznia këtë verë, por me fanellën e Tiranës ka luajtur vetëm në tre ndeshje në muajin shtator. Po bëhen rreth dy muaj që Berisha nuk luan me bardheblutë. Kjo situatë nuk i shkon për shtat atij, por as 24 herë kampionëve të vendit.
Një ditë më parë ai u dërgua të luante me ekipin e dytë kundër Gramshit, një shenjë që mund të jetë duke u përgatitur largimi i tij. Duke parë që tashmë Hoxhallari po luan në qendër, për Berishën duket sikur nuk ka më hapësira.
Në takimin kundër Skënderbeut ishin në stol dy mbrojtës qendre si Marvin Turtulli dhe Klisman Cake, të cilët trajneri Mema as që i përdori. Sikurse edhe kuptohet, ndërprerja e kontratës me Berishën me marrëveshje do t’u shkonte për shtat palëve. Tirana do kursente, mbrojtësi do gjente një ekip ku të luante.