Ardian Ismajli dhe Myrto Uzuni i kanë bindur të gjithë në Kroaci me paraqitjet e tyre dhe jo më kot janë kthyer edhe në titullarë të kombëtares. Mbrojtësi dhe anësori janë përzgjedhur në formacionin e zbulimeve të sezonit. “24sata.hr” ka publikuar 11-n më të mirë, ndërkohë që ka edhe nga një vlerësim për çdo lojtar të përfshirë.
ISMAJLI (22 vjeç) – “Në Kroaci është prej vitit 2016, por vetëm këtë sezon spikatur”. Në vlerësimin e bërë për mbrojtësin, theksohet potenciali i madh që ai ka dhe fakti që fizikisht është perfekt, ndërkohë që nuk fal në duelet një kundër një. ka edhe një minus, kartonët e verdhë, pasi këtë sezon është ndëshkuar nëntë herë dhe për këtë pjesë duhet bërë kujdes. Në analizën e bërë flitet edhe për interesimin e Atalantës, ndërkohë që pritshmëritë janë të mëdha që të ketë oferta të shumta. Mes të tjerash përmendet edhe grumbullimi dhe aktivizimi më kombëtaren shqiptar, gjë që i rrit edhe çmimin e kartonit.
UZUNI (23 vjeç) – “Garanci e dhënë nga Besnik Prenga dhe rreth 350 mijë euro të paguara për kartonin e tij te skuadra e Laçit në Superiore. Një goditje e vërtetë”. Vlerësim pozitiv për beratasin, i cili në sezonin e tij të parë në Kroaci ka arritur të shënojë 7 gola dhe të japë 8 asiste. Shifra mjaft të mira. Mes të tjerash vihet në dukje kombinimi perfekt me Dejan Radonjiç, i cili i krijon mjaft hapësira Uzunit si sulmues i dytë. 29 ndeshje në kampionat për anësorin, ndërkohë që u bë edhe pjesë e kombëtares së Shqipërisë dhe ka luajtur 5 sfida me fanellën kuqezi.