Gjoka: Kombëtarja nuk duhet “masakruar”, morëm një leksion të rëndësishëm

Me kampionatin që është ndalur, qartësisht kombëtarja është çështje dite dhe disfata e turpshme ndaj Skocisë është tema e momentit. Tifozët janë të zhgënjyer e të irrituar, me të drejtë, nga ajo që panë në Shkodër, ndërsa kritikat ndaj kuqezinjve dhe trajnerit Kristian Panuçi kanë vërshuar nga të gjitha anët.

Italiani tashmë është i larguar, pritet vetëm zyrtarizimi, por ndërkohë duhet menduar për të ardhmen dhe duhet bërë zgjedhja e duhur, për të dalë nga qorrsokaku.

Ndërkaq, specialistët dhe trajnerët e futbollit japin mendimet e tyre për momentin e kombëtares dhe një ndër trajnerët e Superiores, kampion një vit më parë, Ernest Gjoka, për “SportEkspres.com” ka analizuar situatën dhe ka dalë paksa kundër rrymës, duke mos u bashkuar me korin e kritikave dhe duke parë nga e ardhmja, me besimin e kombëtarja mund të rigjejë rrugën drejt sukseseve të viteve të shkuara.

– Gjoka, një koment për ndeshjen ndaj Skocisë, por në këndvështrimin e tifozit.

– Jam ndjerë keq, më ka ardhur shumë keq për humbjen e djeshme. Ajo që më ka shqetësuar dhe mërzitur më shumë nuk është thjesht humbja, sepse humbjet janë normale, ne nuk jemi Gjermania. Befasuese është se ekipi ynë po tregon që po bën hapa pas jo thjesht në rezultate, por mbi të gjitha në filozofinë e lojës. Asgjë nuk po funksionon dhe kjo më bën të ndihem vërtet keq.

– Një koment si trajner?

– Të jem i sinqertë, ne që jemi të kësaj fushe duhet të jemi të kujdesshëm me komentet dhe deklaratat. Është e lehtë të kritikosh, por duhet të jemi edhe pozitivë, për të ndihmuar sadopak ekipin kombëtaren, me dëshirën për të besuar se kjo situatë do të ndryshojë për mirë. Koment teknik nuk mund të bëj në këtë moment, sepse të gjithë e kanë parë ndeshjen, të shumtë janë ata që e kanë analizuar.

– Çfarë duhet bërë për të dalë nga kjo krizë?

– Duhet patjetër që skuadrës t’i zgjohet dëshira dhe në veçanti uria për sukses ,sepse në qoftë se nuk uri për të arritur sukses, atëherë ne humbim identitetin. Duhet të jemi të vetëdijshëm se Shqipëria mund të bëjë gjëra të mëdha vetëm duke vepruar si grup i bashkuar, nga skuadra, te federata, stafi drejtues e deri tek tifozët. Nuk kemi brumë të tillë që të fitojmë ndeshje me një shpikje të ndonjë lojtari, me 2-3 raste të krijuara.

– Të gjithë sulmojnë trajnerin, po skuadra sa mund të fajësohet dhe a ka cilësi e forcë mendore për të dalë nga ky moment?

– Unë shpresoj dhe besoj që kjo kombëtare ka potencialin për t’u kthyer në rrugën e duhur, por në këtë moment ka nevojë për shume dashuri e mbështetje. Ata futbollistë duhet të ndihen jo të masakruar nga të gjithë, është e lehtë t’i hedhësh poshtë në moment krize, por kombëtarja është e jona, ata djem janë tanët, në të mirë e në të keq. I kemi lavdëruar pa masë, janë kthyer në heronj, ndaj nuk është normale që t’i baltosim sapo gjërat nuk funksionojnë.

– A mjafton ndryshimi në drejtim?

– Siç e thashë edhe më lart, së pari vjen skuadra. Trajnerët janë kalimtarë, kanë një mision dhe e çojnë përpara përkohësisht, ndërsa lojtarët zbresin në fushë dhe janë aktorët kryesorë, ndaj ata kanë nevojë për mbështetje.

– Nuk e përmende asnjëherë Panuçin, ndërkohë…

– Unë dua të flas për kombëtaren, nuk dua të merrem me emra të veçantë dhe nuk është as etike të flas për Panuçin. Punën e tij e vlerësojnë rezultatet, që për fat të keq nuk janë të mira, po ashtu e vlerëson Federata Shqiptare, ajo e ka punësuar. Tifozët janë emocionalë, kanë të drejtën e vet edhe të ofendojnë ndonjëherë, kur nuk durojnë më, por gjithçka varet nga rezultatet në futboll, për të gjithë. Me zemër jam në mbështetje të ekipit, ndoshta në stol do duhej një trajner me shumë eksperiencë dhe ky është një mësim i rëndësishëm për të ardhmen, sepse Panuçi mund të jetë penalizuar edhe nga fakti që kishte shumë pak eksperiencë si trajner, përtej emrit të madh si lojtar. Pastaj edhe Shqipëria është ndryshe nga Italia, në çdo drejtim, ndaj nuk është e lehtë të përshtatesh me ambientin, mentalitetin.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *