Gjoka i përgjigjet Starovës: Trajnerët flasin në fushë, jo në tryeza

0

Sulejman Starova mban ndezur zjarrin e polemikave, duke këmbëngulur se Partizani është vjedhur këtë sezon dhe duke akuzuar Federatën, ndërkohë që duke folur në RTSH ditët e fundit polemizoi edhe me dy trajnerët-rivalë në garën për titull, Ilir Dajën dhe Ernest Gjokën. Gjatë ndërhyrjes së tij në lidhje direkte në emisionin “Rubrika Sportive”, Starova ndër të tjera tha: “Dua një tryezë të rrumbullakët ku të marrim pjesë unë, Ilir Daja dhe Ernest Gjoka. I them Gjokës arsyet pse ka dalë kampion: E para, Partizani është skuadra që ka pësuar më pak gola. E dyta, ato gola që ke tepër të shënuar, i ke me Tiranën që të fali 6 pikë. E treta, golashënuesi më i mirë në Shqipëri është Ekuban, me gjithë respektin që kam për Pejiç, i cili ka bërë 10 gola me penallti. Të gjithë treguesit thonë se ne jemi skuadra që u penalizua më shumë dhe jemi ne kampionë”.

Deklaratë e fortë, që natyrisht nuk mund të kalonte pa një reagim nga Gjoka, i cili gjithsesi nuk pranon të futet shumë thellë e t’i hedhë benzinë zjarrit, pasi fundja kampionati ka përfunduar dhe titulli dihet ku ka shkuar. Gjithsesi, Gjoka me doza të forta ironie i përgjigjet Starovës, duke “thumbuar”: “Për nga cilësia e skuadrës, Partizani meritonte të dilte kampion. I uroj shumë suksese dhe e falënderoj shumë për mundësitë që më ka dhënë për t’u bërë me trofe”.

Zoti Gjoka, trajneri i Partizanit Sulejman Starova pretendon se titulli i takon Partizanit, duke renditur edhe disa arsye.

Së pari, Starovës i uroj shërim të shpejtë, sepse mora vesh që është operuar. Së dyti, kam mësuar çfarë ka deklaruar dhe më vjen keq që ai merret me mua dhe me Kukësin. Mendoj që Starova duhet të kujdeset më shumë për skuadrën e vet, sepse Partizani ka një ekip shumë të mirë dhe meritonte të dilte kampion për nga cilësia. Sulejmani mua personalisht më ka sjellë gjithmonë fat, sepse më ka bërë me trofeun e parë në karrierë, Kupën e Shqipërisë kur drejtoja Flamurtarin, ndërsa tani jam bërë me trofeun e dytë. I uroj shumë suksese dhe e falënderoj shumë për mundësitë që më ka dhënë për t’u bërë me trofe.

A keni marrë nga Starova urim për titullin? Sepse ai ka deklaruar që e ka uruar me mesazh presidentin Gjici.

Jo, mua nuk më ka çuar asnjë mesazh. Me Gjicin nuk e di, puna e tij.

Starova ka kërkuar një tryezë të përbashkët në televizion, ku të jetë përballë teje dhe Ilir Dajës.

Unë nuk merrem me tryeza. Ne trajnerët nuk merremi me gjëra të tilla, jemi profesionistë dhe duhet të merremi vetëm me fushën. Pastaj nuk e kuptoj për çfarë do të shërbente tryeza, kampionati ka përfunduar, Starova nuk më mundi asnjëherë në 4 takime direkte. Ai vazhdon të këmbëngulë që Partizani është kampioni real i sezonit dhe e paska merituar më shumë, por ndërkohë nuk ka mundur asnjëherë rivalin direkt. Në raste të tilla është mirë të flasim sa më pak e sa më saktë, sepse fjalët e shumta janë fukarallëk”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.