Presidenti i Kukësit Safet Gjici, ka dalë sot në një konferencë për shtyp, ku ka sqaruar pozitën e Armando Cungut si trajneri i Kukësit. Numri një i klubit verilindor konfirmoi se tekniku shkodran do ta vazhdojë të jetë në krye të pankinës së verilindorëve.
DYSHIME MBI POZITAT E TRAJNERIT ? – “Absolutisht jo, unë i marr vendimet pa ndikimin e askujt dhe nuk pushohet trajneri nga mediat”.
“Kam biseduar sot me trajnerin dhe lojtarët, sepse edhe ata kanë përgjegjësi. Duhet qetësi e madhe për ndeshjet e ardhshme. Kamza nuk duhet nënvlerësuar, edhe pse e fundit”.
“I kam kërkuar Cungut të jetojë në Tiranë, nuk është normale ta bëjë vajtje-ardhje për në Shkodër. Ka pasur jo pak probleme, që do t’i zgjidhim. Skuadra është cilësore, blerjet janë të shkëlqyera. Në Durrës më zhgënjeu mbrojtja, e papranueshme që humbëm ashtu, me 2 gola ne 3 minuta.
PRESIONI PO NDIKON TE SKUADRA ? – “As që bëhet fjalë, skuadra ka eksperiencë, disa lojtarë janë kampionë. Duhet kohë, për të gjetur ekuilibrat e reja. Jemi 3 ekipe për titull, edhe Teuta, pavarësisht se sillet si nëndetëse dhe Partizani merret vetëm me ne”.
MARRËVESHJA ME LOJTARËT – “Sot kemi bërë marrëveshje me lojtarët, duam 4 fitore rresht. Nuk kam vendosur gjoba, do të ketë premio nëse arrijmë objektivin në ndeshet e radhës”.
MBËSHTETJA PËR CUNGUN – “Do ketë kohën e duhur, ka pasur shumë ndryshime, por rezultatet e largojnë, nëse nuk do kemi, nuk ka nevojë ta heq unë. Unë kam besim të plotë te trajneri dhe te lojtarët, që janë shumë cilësorë”.
MERKATO E JANARIT – “Gjithçka është bërë në koordinim me trajnerin, ai nuk është ankuar, thjesht ka thënë diçka që dihet, shumë afrime duan kohë” .
Shkurtaj dhe Rexhinaldo në formacion ? – “Unë do luaja me 4-4-2, me dy sulmues, por për gjithçka vendos trajneri. Ne na ka prishur shumë punë Musolli, dëmtimi i tij. Kur të kthehet ai, skuadra do gjejë ekuilibrat e duhur taktike”.