Mançester Siti triumfoi në finalen e “Carabao Cup” ndaj Çelsit, por vëmendjen më të madhe në këtë ndeshje e mori gjesti i portierit të bluve, i cili refuzoi të zëvendësohej në minutën e 120-të. Ky moment tërboi trajnerin e londinezve, Mauricio Sarrin, i cili pas sfidës ka sqaruar gjithçka.
Sipas teknikut italian, ishte i gjithi një keqkuptim dhe ndaj Kepas nuk do të ketë asnjë masë disiplinore. Gjithashtu, Sarri shtoi se portieri spanjoll pati të drejtë dhe se zëvendësimi u mendua të bëhej për arsye se pretendohej që Kepa ishte i dëmtuar.
GJESTI I KEPAS – “Ishte një keqkuptim. Nuk e kuptova problemin fillimisht, më pas kur arrita në pankinë u sqarova nga mjekët. Ishte një keqkuptim i madh, sepse unë mendova se portieri kishte probleme dhe nuk mund të vazhdonte. Nuk do të ketë asnjë masë disiplinore.”
TENTATIVA PËR T’U LARGUAR – “Nuk u largova. Thjesht doja të qetësohesha. Kepa e kuptoi që kërkova zëvendësim për arsye fizike dhe tha që nuk kishte asnjë problem dhe kishte të drejtë. E kuptova këtë gjë kur erdhi mjeku. Më pas fola me Kepën vetëm për ta sqaruar, që tani e kisha kuptuar si qëndronte situata.”