“Gjermania e re do rikthejë forcën e vjetër”

Julian Draksler është grumbulluar me kombëtaren e Pancerave pas një viti. 25-vjeçari nuk ka arritur të jetë pjesë e skuadrës në ndeshjet e mëparshme të këtij viti për shkak të dëmtimeve, që kanë rastisur me ndeshjet e Gjermanisë. Mesfushori ka folur rreth zhvillimeve të shumta që kanë ndodhur në kombëtaren e drejtuar nga trajneri Hoakim Lëv.
Ky i fundit ka spastruar gardën e vjetër, që ishte edhe baza e kombëtares që fitoi Botërorin e 2014-ës. Sipas Draksler, këto lëvizje kanë sjellë ndryshime në hierarkinë e skuadrës. Ylli i Parisit është i lumtur që është pjesë e Gjermanisë së re.

Shprehet se duhej patjetër të kishte ndryshime pas figurës së keqe që lanë në Rusi. Draksler beson se ky ekip i ri që po formohet do të kthejë forcën e vjetër të Pancerave. Edhe pse është një nga lojtarët më me eksperiencë në kombëtare, ai nuk pretendon të marrë shumë peshë në ekip.
“Në grumbullimet e mëparshme ka rastisur që të mos jem në gjëndje të luaj. Ndihem shumë i lumtur që jam rikthyer. Kanë ndodhur shumë gjëra gjatë muajve të fundit. Kemi filluar të ndërtojmë një ekip të ri. Duhej patjetër të ndodhte diçka pas paraqitjes së dobët në Kupën e Botës. Kemi fituar motivimin dhe jemi gati të luftojmë për gjërat e mëdha që kemi para. Do duhet të kemi durim për t’u kthyer në skuadrën që ishim në vitet 2014 dhe 2016.”

“Nëse punojmë fort, do e gjejmë rrugën për të rikthyer forcën e vjetër. Jam i kënaqur që do të ndihmoj në formimin e një ekipi të ri. Hirearkia në skuadër ka ndryshuar. Ka shumë lojtarë të rinj. Unë kam 50 ndeshje me kombëtaren. Kam një eksperiencë jo të vogël, por e shoh larg marrjen e të gjitha përgjegjësive të skuadrës”, u shpreh Draksler.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *