PSG po bën një sezon fantastik momentalisht, sidomos në kampionat, ku e sheh veten me pikë të plota pas 11 javësh. Një makineri perfekte ajo e Tomas Tuhel, ku në Francë nuk po njeh rivalë. Gjithsesi në Champions francezët nuk duken dhe aq mirë, ku ndaj rivalëve direkt në grup, nuk kanë arritur të fitojnë.
Në sfidat që parizienët kanë luajtur ndaj Liverpulit dhe Napolit përveçse nuk kanë fituar asnjë, kanë pësuar 5 gola në dy ndeshjet respektive, përkatësisht tre gola ndaj Liverpul dhe dy ndaj italianëve. Mbrojtja shihet si reparti ku kryeqytetasit francezë kanë më shumë probleme dhe lidhur me çështjen e mbrojtjes ditën e sotme ka ardhur një lajm që e gëzon jo pak trajnerin Tuhel.
Dani Alvesh ka dalë në stërvitje ditën e sotme, pas plot gjashtë muajsh mungesë. Veterani brazilian është mjaft i rëndësishëm për PSG-në, pasi eksperienca e tij në Champions do t’i ndihmojë shumë kryesuesit e kampionatit francez. Kujtojmë, braziliani u dëmtua në finalen e kupës sezonin e kaluar, në muajin maj. Një dëmtim në gju për 35-vjeçarin, që tashmë duket se është lënë pas. Lajm mjaft i mirë ky për Alvesh, si dhe për ekipin e PSG.