Gega: Tirana nuk më telefonon, tentuam 4 sulmues. Titulli? Ja rivali ynë

0

Partizani kryeson kampionatin dhe synon titullin kampion, që mungon që prej vitit 1993 në kampin e kuq. Kanë mbetur edhe 12 javë kampionat dhe deri në fund do të jetë një garë e fortë. Kukësi i vendit të dytë ka vetëm gjashtë pikë më pak, ndërkohë që skuadra e drejtuar nga Skënder Gega do të përballet me ta dhe Teutën në dy javët në vazhdim.

I ftuar në emisionin “Kampionët” në Vizion Plus, Gega foli për derbin e fundit, lojën e skuadrës së tij dhe garën për titullin. Ai pranoi se tentuan të afrojnë një sulmues në janar, por në fund nuk ia dolën dot. Një ngacmim nëse do pranonte ofertën e Tiranës dhe në fund një koment edhe për arbitrat e dhunën në stadiumet tona.

DERBI – “Siç gabojnë lojtarët në situata të ndryshme, gabojmë edhe ne si trajnerë. Patëm një situatë të ndërlikuar, sepse na mungoi Trashi që është shumë i rëndësishëm për ne. Edhe Idrizi  na u dëmtua. Lojtarët u vunë në vështirësi në pjesën e parë dhe e ekuilibruan disi në pjesën e dytë. Në derbi, për hir të së vërtetës, nuk është parë kurrë renditja. Tirana nuk pati trysninë tonë, sepse ne jemi në krye dhe kemi më shumë përgjegjësi. Kampionati ynë tregon që diferencat nuk janë shumë të mëdha”.

“Ne nuk jemi ekip brilant. Nuk mund të bëjmë spektakël me këtë përbërje, ama djemtë po japin 100% dhe kemi marrë maksimumin. Filozofia jonë është që të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të jemi një grup i fortë. Ndonjëherë e kemi pasur vetë si taktike që të presim kundërshtarin, t’i studiojmë dhe t’i godasim. Por ndoshta edhe trysnia e rezultateve është shumë e lartë te ne”.

GARA– “Unë besoj se do të jetë një garë e fortë deri në javën e fundit. E vlerësoj shumë Teutën për ekipin dhe përbërjen që ka. Kukësi është rivali ynë direk, e ka potencialin për të qenë rivali më i afërt. Durrësin e shoh pak më prapa në këtë drejtim. Mendoj se 12 javët e fundit do të jenë kryesisht llogari. Ne nuk kemi asnjë lloj arsye që të kemi panik, ndryshe nëse do të kemi ne, çfarë do të ndodhë me Kukësin. Këtu kemi ardhur me djerse dhe sakrifice. Ekipi e ka karakterin për t’ia dalë”.

SULMUESI DHE E ARDHMJA – “Patëm 4 objektiva në merkato për sulmues cilësore por ata bënë zgjedhja të tjera. Klubin e pata në mbështetje në këtë drejtim. Ne nuk kemi probleme financash dhe harmoninë dhe ky është suksesi ynë”, u shpreh Gega. I ngacmuar nëse do pranonte një ofertë të Tiranës, ai thotë: “Nuk besoj se bardheblutë do të telefonin një të kuq”.

DHUNA – “Dikush duhet të përgjigjet për këtë situatë. Kjo nuk mund të vazhdojë më kështu. Në fakt është një problem i shoqërisë, jo vetëm i futbollit. Fatkeqësisht po shohim që dhuna po merr përmasa shqetësuese. Po përhapet edhe në disa qytete që kanë reflektuar kulture ndër vite. Aktorët duhet të ulen dhe të gjejnë një zgjidhje. Policia e shtetit nuk është rajonale, edhe ajo është pjesë e shoqërisë dhe ka përgjegjësi, kështu që edhe forcat blu duhet të jenë pjesë e zgjidhjes.

“Incidenti në ndeshjen me Flamurtarin? Nuk dua ta justifikoj aspak incidentet në takimin kundër Flamurtarit ama nga informacionet që ne kemi, rezulton që ata tifozë që u futën në fushë nuk ishin pjesë e tifo-grupeve tona, ndonëse nuk dua aspak ta justifikoj ngjarjen e cila duhet të ishte shmangur”.

ARBITRAT – “Për 24 javë jam munduar të qëndroj larg paragjykimeve. Jam i sigurt që ka njerëz shumë të aftë në arbitrim, por ka edhe të paaftë. Është e vështirë të gjykoj nëse janë të qëllimshme. Sigurisht që gabime ka, por nuk mund të kalohet deri këtu. Fatkeqësisht në Shqipëri askush nuk e pranon humbjen, por akuzojmë njëri-tjetrin. Dikur, kur luanim ne futboll, nuk bëhej fjalë të ndodhnin këto ngjarje të rënda”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.