Trajneri i Partizanit, Skënder Gega ishte shumë i kënaqur me fitoren e të tijve përballë Skënderbeut. Për “Supersport”, trajneri i të kuqve komentoi ndeshjen, luftën me Kukësin për titullin kampion, golin e anuluar të Rexhepit dhe mbrojti të gjithë lojtarët e tij, duke i konsideruar familje.
FITORJA – “Fituam se fitoi Kukësi (qesh). Javën e kaluar, ishte presion, që ndoshta na vuri gjumë. Kthehem mbrapsht te Gjirokastra, pasi gabuam shumë pak. Kemi gabuar 5 ndeshje për 3 faza dhe kjo gjë na vuri në presion pak. Fitorja e Kukësit na bëri mirë dhe jemi përgatitur shumë mirë. Jemi të përgjegjshëm se nuk jemi perfekt, edhe sot nuk ishim perfekt, por dhamë maksimumin dhe u shpërblyem. Goli i Rexhepit? Për mua është faull, ka vendosur duart te kundërshtari”.
FAMILJA – “Unë jam i sigurt dhe të humbësh në futboll, nuk është turp, por një ngecje dhe diçka që tregon që nuk e ke bërë mirë punën. Fjala turp më vret. Nëse rëndohesh për diçka që nuk e ke bërë mirë, është diçka jo e mirë. Pas humbjes së parë me Gjirokastrën, reflektuam dhe mund të merrnim më shumë kundër Kukësit. Humbja në kampionat ishte pjekuri për ne. Jam munduar t’i mbroj lojtarët, janë pjesë e familjes time. Atanda gaboi në tre raste dhe gjatë analizës kam bërë të gjithë ekipin fajtor, jo vetëm Atandën. Jam besimplotë se ky ekip nuk ka ardhur këtu ku është pa meritë. Kemi mundur shumë rivalë, kemi gabuar në disa momente të vogla. Shpresoj që deri kur të vijë ndeshja e radhës, të jemi qartësuar dhe të tregojmë karakter, në mënyrë që të bëjmë sa më mirë”.
GRUPI – “Ne kemi një grup të shëndoshë, kemi dhe tifozë shumë të shëndoshë. I druhesha mediave online, duhej t’i ruhesha këtyre, pasi flasin fjalë të paqena. Jam munduar t’i mbaj lojtarët afër dhe të kalojmë çdo periudhë negative”.
KUKËSI – “Nuk i kemi në dorë humbjet apo fitoret e Kukësit, por në këtë periudhë që është kampionati, çdo ngecje e Kukësit na ndihmon dhe na shtyn edhe më shumë afër objektivave tanë”, përfundoi Gega.