Gatuzo: Nuk kemi vdekur, nesër do shihni 23 luanë në fushë!

Milani pret ditën e nesërme në “San Siro” Sampdorian, teksa kuqezinjtë duan të hedhin krizën që i ka kapluar dy ndeshjet e fundit. Një humbje në derbi dhe një humbje në mesjavë për Europa Ligë, kanë vënë në dyshim dhe pozitat e trajnerit Gatuzo. Ky i fundit ka folur për mediat një ditë përpara sfidës, ku u shfaq me besim për të tijtë dhe tha se kuqezinjtë nuk kanë vdekur”.

ANA PSIKOLOGJIKE DHE TAKTIKE – “Me Interin kemi bërë një ndeshje të mirë ndërsa me Betisin ishte një katastrofë. Në derbi bëmë mirë dhe nuk i lejuam Interit hapësira, më pas goli erdhi për një gabim tonin. Nga ana teknike nuk ishim aty ku duhet, ndërsa në anën taktike e interpretuam mirë. Ne duhet të luftojmë dhe po punojmë fort për të arritur atë çfarë duam.

KUNDËRSHTARI – “Sampdoria ka një mbrojtje shumë solidë, jo më pak janë ekipi që ka pësuar më pak në kampionat. Të pësosh vetëm katër gola në nëntë javë do të thotë që ata punojnë shumë. Ne duhet të bëjmë shumë mirë për t’i vënë në vështirësi. Kanë një trajner fantastik si Marko Xhampaolo dhe janë të organizuar mirë”.

GJENDJA AKTUALE – “Vijmë nga dy humbje që na kanë goditur rëndë, por ne nuk kemi vdekur. Unë nuk jam i vdekur dhe i varrosur dhe disa nga ju duhet ta kuptojnë këtë. Është normal që të lëndohesh kur humb, por unë e di se sa shumë mund të jap për këtë klub dhe për këto ngjyra”.

GABIMET – “Ndeshjen ndaj Betisit, ne nuk e menaxhuam aspak ashtu siç e kishim përgatitur sfidën dhe kjo është diçka për të ardhur keq. Unë dua t’i shoh djemtë të tregojnë karakter dhe dëshirë për t’u ngritur nga ky moment i keq, sepse e di që ata mund të bëjnë shumë më shumë. Për momentin, shoh që nuk po e shijojmë futbollin që po luajmë. Vuajmë shumë dhe na duhet të rizbulojmë kënaqësinë që të jep loja, lëvizja me top dhe ndjekja e kundërshtarëve”.

RINGRITJA – “Nuk dua të bëj krahasime me Interin, por mos harroni se ku ishin më 27 dhjetor 2017 pas humbjes në Kupën e Italisë ndaj nesh. Pas kësaj humbjeje, u deshën muaj që ata të ringriheshin. Tani shikojeni se ku janë. Ndonjëherë këto goditje të ndihmojnë që të rritesh. Në qoftë se fitojmë nesër dhe në sfidën që do të luajmë ndaj Xhenoas, atëherë do të afrohemi me zonën Champions. Ne duhet të vazhdojmë të besojmë në atë që po bëjmë edhe pse kam filluar të dëgjoj fërshëllima në “San Siro”.

HIGUAIN – “Është i gjithë ekipi që nuk po funksionon dhe kjo do të thotë që dhe Higuain nuk shërbehet. Në lidhje me këtë çështje, fola me Higuain dhe i thash që nuk duhet të jetë i nevrikosur gjithë kohës me shokët e tij të skuadrës, por ti duartrokasë dhe t’u jap kurajo. Është më mirë se sa ti bërtasësh gjithë kohës. Pastaj ai duhet të jetë më i qetë, pasi në rastin e penalltisë së mohuar ndaj Kastijehos  protestoi shumë. Ka gabime të gjyqtarëve, por nuk duhet të humbasësh energji duke protestuar. Ai është një lider në grup, i bën të gjithë të ndihen rehat dhe bën shaka me të gjithë. Është një udhëzues, nëse performanca e tij nuk është shumë e mirë, fajësia është kolektive, prej të gjithëve”.

NDESHJA E NESËRME – “Nuk ka më alibi. Ne duhet të marrim përgjegjësitë që na takojnë dhe dua që çdokush që është në fushë të jap gjithçka. Në qoftë se përpiqemi gjithë kohën të gjejmë justifikime nuk do të shkojmë asgjëkund. Nesër dua të shoh 23 luanë me një dëshirë dhe përkushtim në maksimum për të klub. Nuk dua t’ia di për taktikën, dua vetëm të shoh 23 qen të tërbuar, që duan të tregojnë se çfarë janë të aftë të bëjnë. Dua t’i shoh të gjithë me energjinë dhe pasionin e Patrik Kutrones”.

MUNGESAT – “Kesi kishte dhimbje në kyç dhe në ligament pas derbit, kështu që nesër do të shohim. Çalhanoglu mori një plagë në këmbë kundër Interit dhe nuk mund të veshë dot as takat. Do të shohim nëse do të luajë  Bakajoko. Në ndeshjen ndaj Betisit rikuperoi disa topa gjatë pjesës së parë, por kishte pak probleme në pasime. Ai po kalon një moment pak të vështire dhe ne duhet të jemi të duruar dhe të analizojmë problemet e tij”, pwrfundoi tekniku i Milanit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *