Milani duhet të rikthehet te fitorja. Këtë gjë e di mirë Xhenaro Gatuzo dhe të gjithë në kampin milanist. Kuqezinjtë do të presin nesër Udinezen në “San Siro”. Ekipi duhet të reagojë pas dy humbjeve kundër Interit dhe Sampdorias.
Atalanta dhe Lacio janë afruar dhe të rrezikshme mbeten e Roma me Sampdorian. Dy pikë më shumë është dhe Interi i vendit të tretë, por trajneri përqendrohet vetëm tek ekipi i tij. Gatuzo po e përgatit me qetësi ndeshjen kundër Udinezes.
Trajneri i “Djallit” analizon çfarë nuk ka shkuar në dy ndeshjet e fundit dhe ndalet te lojtarë të caktuar. Rino mohon problemet me Leonardon dhe nuk i kursen batutat si gjithmonë.
UDINEZE – “Vijmë nga dy rezultate negative, por skuadra është e gjallë. Momenti është negativ, por do të japim gjithçka. Nuk kemi vdekur akoma. Kaldara po stërvitet me ne, ndërsa nuk kemi vendosur akoma për modulin e ndeshjes. Gjithsesi, kam në kokë një ide ndryshe. Kjo është një ndeshje e rëndësishme, të cilën jemi të detyruar ta fitojmë. Duhet të futemi në fushë me dëshirë dhe qetësi.”
GJYKIMI – “Nuk duhet të krijojmë alibi. Duhen kuptuar edhe arbitrat. Orsato fishkëllen pak, ndonjëherë duhet të dimë të komunikojmë me ta. Duhet të rritemi në këtë aspekt. Na ndodhën dy episode kundër në ndeshjen me Sampdorian, por duhet t’i pranojmë dhe të besojmë tek ata.”
DREJTUESIT – “Gjithmonë jemi rreshtuar të gjithë në të njëjtën anë. Nesër është ndeshje e rëndësishme. Jam i qetë, por jo prej faktit që kam biseduar me Leonardon dhe Maldinin. Askush nuk mund ta vërë në dyshim bashkimin që ekziston mes nesh në këto momente. Shtypi shkruan, por unë e di se çfarë flasim dhe respektin që kemi për njëri-tjetrin. Problemi i vetëm që kam në këto momente është rikthimi i Milanit në Champions.”
PIATEK – “Mendoj se ka luajtur mirë në pjesët e dyta kundër Interit dhe Sampdorias. Nuk është Piatek problemi, por mënyra se i futemi në ndeshje. Nuk duhet të fokusoheni vetëm një lojtar i vetëm. Të gjithë duhet të japin diçka më shumë, jo vetëm ai. Nëse e furnizojmë me topa, ai e dëmton kundërshtarin.”
BAKAJOKO – “Vuajti në pjesën e parë kundër Sampdorias, njësoj si gjithë skuadra. Pjesën e dyte bëri mirë, madje dhe si ‘mezzala’. Ky lojtar na jep cilësi dhe sasi, si dhe i bën mirë të dyja rolet. Na mungon qetësia dhe në këtë moment duhet të kuptojmë se si kemi dëshirë që të luajmë.”
DONARUMA – “Kritikat pranohen. E kam parë mirë Xhixhion, nuk është fshehur dhe ka marrë përgjegjësitë e tij. Një gabim i tillë mund të ndodhë. Më pëlqen shumë mënyra se si e menaxhoi ndeshjen dhe i vlerësoj shumë fjalët e Kontit. Kjo tregon se grupi është solid dhe i pastër.”
RIKTHIMI – “Për të kaluar këtë moment të vështirë, duhet të fitojmë. Unë jam i qetë, dikush mund të më marrë për të çmendur, por kështu ndihem. Duhet t’i nisim më mirë ndeshjet. Edhe kur kemi fituar pesë ndeshje rresht, nuk kemi luajtur gjithmonë mirë. Megjithatë, jam i qetë për atmosferën që ekziston në dhomat e zhveshjes.”
OBJEKTIVI – “Po luajmë për diçka shumë të rëndësishme. Rikthimi në Champions është si fitimi i titullit për ne. Dy ndeshjet e fundit kemi shkuar shumë shpejt në dizavantazh dhe kjo gjë na ka penalizuar. Gjithsesi, kam parë një ekip të gjallë dhe të gatshëm për të reaguar. Duhet të analizojmë aspektet negative, por kam besim të ky grup. Duhet të ruajmë qetësinë dhe t’i marrim ndeshjet një nga një.”
KESI – “U habitët që Bilja u ul afër Kesisë pasi u zëvendësua? Frenk e përqafoi Lukasin (Bilja) përpara të gjithëve, pasi u kthye nga kombëtarja. Patën një debat, gabuan që e bënë përpara të gjithëve, por tashmë nuk ekziston asnjë problem.”
PAKETA – “Deri para dy javësh të gjithë më akuzonin se lojtari ishte i lodhur, ndërsa tani ka dalë sikur jam zënë me Leonardon për mos aktivizimin e tij kundër Sampdorias. Vërtetë e mendoni se niveli i drejtuesve tonë është kaq i ulët? Më duket sikur jam në ëndërr.”