Gatuzo i zbraz të gjitha: Kritikat, derbi, Europa League dhe… Donaruma

Milan rikthehet për të luajtur në Europa Ligë ditën e nesërme, teksa pret Real Betisin në “San Siro”. Kuqezinjtë vijnë pas humbjes në derbi, ku kanë shfaqur një lojë që ka vënë në qendër të kritikave trajnerin Gatuzo. Pikërisht ky i fundit ka folur ditën e sotme përpara mediave në konferencën e zakonshme një ditë përpara ndeshjes.

SITUATA MOMENTALE DHE MARRËDHËNIA ME DREJTUESIT -“Të jesh trajner, e di shumë mirë që në rast se nuk merr rezultate je në presion. Ka pasur dhe momente të tjera që kam qenë në situatë të tillë. Me Leonardon dhe Maldinin këshillohem gjithmonë. Ka gjithmonë ulje dhe ngritje, por e rëndësishme është që ne i themi gjërat në sy. Ajo që ka ndodhur mes meje dhe Leonardos është diçka e viteve më parë. Kemi një respekt të madh për njëri-tjetrin”.

BLERJET E REJA NUK AKTIVIZOHEN -“Nëse nesër luajnë titullarët nuk do të jetë për shkak se unë jam në qendër të kritikave. Gjithmonë çdo gjë e bëj me logjikë dhe me kuptim. Nëse lojtarët e rinj nuk luajnë është sepse kështu kam vendosur unë. Kastijeho nuk ka luajtur shumë, por gjithsesi ka pasur minuta. Laksalt gjithashtu. Bakajoko ndërkohë ndeshjet e Evoprës i ka luajtur titullar, po ashtu dhe Reina. Në nivelin taktik ata kanë nevojë edhe për pak kohë, por gjithsesi jam i lumtur që i kam në ekip”.

BETIS – “Është një ekip që e mban topin shumë dhe luan mirë. Kujtojmë në Madrid ndaj Atletikos kanë mbajtur 65% të kohës topin në zotërim. Kanë shumë kualitet si ekip. Luajnë me tre mbrojtës dhe do të jetë një ndeshje e vështirë. Nesër do të luajë skuadra më e mirë, dhe lojtarët që kanë më shumë energji, sepse është një ndeshje e vëshirë ndaj një ekipi të vështirë, që të bën të impenjohesh shumë”.

DERBI – “Ne gabuam në driblime si dhe nuk mundëm të nisnim lojën nga portieri, gjë që ka qenë një ndër armët tona në ndeshjet e tjera. Nuk bëmë lojën që jemi mësuar të bëjmë. Unë nuk i përgatis ndeshjet për të barazuar. Ne mund të bënim diçka më shumë në mbajtjen e topit, nuk i pashë djemtë të përqendruar. Ndeshjet kanë dinamikën e tyre dhe ndonjëherë emocionet ndikojnë. Gjithsesi, unë jam krenar që stërvis një ekip të tillë dhe ndihem i ofenduar kur dëgjoj që skuadra ka luajtur për barazim. Unë pash një ekip, i cili nuk arriti të shprehte lojën e tij kur e kishe topin, por përsëri pashë tek djemtë një karakter që kisha kohë që nuk e shihja”.

DONARUMA – “Ai është një portier në rritje, është diçka që dihet. Zgjedhjet i bëj unë, unë nuk shkoj pas asaj që thonë tifozët, me gjithë respektin që kam për ta. Ai është i qetë, pati dhe një humbje në familje ditën e djeshme, pasi humbi gjyshen e tij dhe nuk kam pasur mundësi të flas me të. Ai duhet të punojë fort, gabimet në futboll janë gjëra që ndodhin”.

HIGUAIN – “Nuk ishim mirë kur merrnim topin dhe kjo ishte 30% për faj të Higuain dhe 70% për faj të skuadrës. Është faji i të gjithë grupit, duke më përfshirë dhe mua. Nuk ishte hera e parë që ne luanim ndaj një ekipi të fortë”.

GJENDJA – “Duhet të jemi më të kujdesshëm dhe të jemi gati. Gabimet duhet të jenë sa më të pakta, duhet të përmirësohemi në këtë aspekt, jo vetëm Donaruma, por të gjithë. Po bëj gati një vit këtu dhe presioni është gjithmonë i lartë në Milano. Kam humbur gjashtë ndeshje që kur kam ardhur këtu dhe duket sikur unë i kam humbur të gjitha sfidat e luajtura. Përgjegjësia është e imja dhe lojtarët nuk duhet të përfshihen. Detyra jonë është të bëjmë sa më pak gabime të jetë e mundur”.

SKUADRA – “Lojtarët duhet të japin maksimumin për fanellën që mbajnë veshur. Në qoftë se dikush flet keq për mua, nuk është diçka që do të më ndryshojë jetën. Jam një trajner i ri me një rrugë të gjatë përpara. Jam i lumtur kur i fitoj ndeshjet dhe jo kur lojtarët flasin mirë për mua”, përfundoi tekniku kuqezi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *