Një humbje ndaj Realit në Madrid është e pranueshme, Xhenaro Gatuzo e ka provuar edhe si futbollist, 19 vite më parë, kur Milani mundej 4-2 dhe Rino shënonte një gol.
Tani Gatuzo është trajner i “Djallit” dhe e sheh krejt ndryshe sfidën prestigjioze ndaj Realit, një miqësore, por që trajneri kuqezi nuk pranon ta humbasë, sidomos me gabime fëminore në momente të caktuara të ndeshjes.
“Sezonin e shkuar defekti ynë ishte që luanim bukur në shumë ndeshje dhe nuk dinim të merrnim pikë. Edhe kundër Realit pashë të njëjtin Milan dhe duhet të përmirësohemi në këtë aspekt, rezultati ka shumë rëndësi. Pësuam gola në minutat 46 e 91 dhe kjo duhet evituar. Nuk jam dakord që ndërrimet e ulen cilësinë, kush luan te Milani duhet të jetë gjithnjë gati, në nivel të lartë, me personalitet. Tani e mendjen te Xhenoa, do jetë ndeshje e vështirë”.
Gatuzo i gëzohet lojës: “Luajtëm mirë. Skuadra është mirë psikologjikisht dhe luan mirë, jam i kënaqur në përgjithësi. Jemi përforcuar, hendeku me Juven mbetet i madh, por jemi skuadër e re dhe jemi në rrugën e duhur. Nëse vazhdojmë kështu, shumë shpejt hendeku do të mbyllet”.
Higuain shënoi: “Jam i kënaqur prej tij. Në stërvitje u jep zemër lojtarëve, nuk zemërohet kurrë. Megjithatë, nuk mjafton Higuain, nuk shkojmë askund nëse presim vetëm prej tij gola”.