FSHF me dorë të hekurt: Doni pamjet, blijini!

1

Superiorja nis të premten, ndërkohë që FSHF ka dalë me një njoftim në lidhje me përdorimin e pamjeve të ndeshjeve të elitës dhe të Kupës së Shqipërisë. Mesazhi është kryesisht për mediat elektronike, pasi është parë shpesh të publikohen golat apo aksione të ndryshme gjatë ndeshjeve.

NJOFTIMI – “Me fillimin e sezonit futbollistik 2018-2019, Federata Shqiptare e Futbollit i drejtohet të gjithë transmetuesve TV në vend, në rang kombëtar dhe lokal, në lidhje me përdorimin e sekuencave audio dhe video të kompeticioneve të saj, duke iu referuar aspektit ligjor për mundësimin e tyre.

FSHF, sipas legjislacionit në fuqi është zotëruesja e vetme e të gjitha të drejtave audiovizive të Kampionateve Kombëtare të Futbollit, si dhe të ndeshjeve të Ekipeve Kombëtare të futbollit, kjo, bazuar në nenet 15, 32 dhe 33 të Ligjit Nr.9376, datë 21.04.2005, “Për Sportin”.

Duke iu referuar pikërisht bazës ligjore në fuqi, FSHF bën me dije të gjitha mediat elektronike se asnjë subjekt transmetues nuk mund të përdorë këto të drejta në asnjë formë, apo kohëzgjatje, pa lidhur një marrëveshjeje kontraktuale me FSHF.

Për sezonin 2018 – 2019, për kampionatin Shqiptar të futbollit “Kategoria Superiore”®, dhe për kompeticionin “Kupa e Shqipërisë”®: FSHF është i vetmi subjekt që ka të drejtë të shesë të drejtat e sekuencave (highlights) audiovizive të ndeshjeve të këtyre aktiviteteve. Të gjitha mediat e interesuara për blerjen e sekuencave, për përdorim në edicionet informative apo emisionet sportive, janë të mirëpritura të kontaktojnë Departamentin e Marketingut pranë FSHF-së për të marrë informacionin e nevojshëm dhe për të lidhur kontratat respektive.

Nga ana e saj, FSHF në bashkëpunim me Autoritetin e Mediave Audiovizive, nuk do të lejojë në asnjë moment transmetimin e pjesshëm të asnjë sekuence audiovizive nga subjekte të palicencuara. FSHF mbetet e hapur për të bashkëpunuar në këtë proces të rëndësishëm”, thuhet në njoftimin e FSHF-së.

You might also like
1 Comment
  1. Tomi says

    Cfare behet keshtu mer yahoo?! Me lehte do ta kemi te shohim Champions League se sa kampionatin e Don. Duka&Co!!! Mos valle Superiorja ka arritur nivelin e Bundesliges apo Premier Liges dhe nuk e dime gje?! Cfare nuk ben vaki ne kete fshatin tone ballkanik.

Leave A Reply

Your email address will not be published.